Site icon PORTALB

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë vizituan Gostivarin

Bejta - deputetet r Kuvendit te Shqiperise

Bejta - deputetet r Kuvendit te Shqiperise

Për herë të parë Komuna e Gostivarit u vizitua nga një delegacion i Republikës së Shqipërisë i përbërë prej deputetësh nga Komisioni për arsim, kulturë, shkencë dhe sport i kryesuar nga deputeti Alfred Peza. Grupin e deputetëve të shoqëruar edhe nga zëvendësministri i arsimit, Arbjan Mazniku e priti në një takim të ngrohtë dhe vëllazëror kryetari Nevzat Bejta i cili këtë vizitë e vlerësoi si historike dhe vizitë krenarie.

Në takim u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit.

“Sot është një ditë dhe moment i veçantë. Është kjo një ditë historike për shkak se për vizitë në komunën tonë kemi deputetë nga Kuvendi Republikës së Shqipërisë. Kjo vizitë nuk është nder vetëm për mua si udhëheqës i qytetit të Gostivarit, është një nder dhe respekt për gjithë qytetarët shqiptarë të Gostivarit, por edhe për të gjithë qytetarët tjerë të cilët jetojnë në këtë qytet. Për herë të parë ndodh në historinë e komunës së Gostivarit, që të vjen një delegacion i përbërë nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh kryetari Bejta.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta kërkoi që shteti shqiptar të bëjë ndonjë donacion në sferën e arsimit në shenjë respekti ndaj shqiptarëve të Gostivarit.

“Biseduam që me Kuvendin, Qeverinë dhe ministritë e shtetit shqiptar ne si komunë jemi të hapur për bashkëpunim me qëllim që ata të japin kontributin e tyre si shtet shqiptar edhe për shqiptarët të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Pasi që në përbërje të delegacionit është edhe zëvendësministri i arsimit, kërkova që të kemi një bashkëpunim të mirë që t’i përcjellë porositë dhe kërkesat tona deri te kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama që në shenjë respekti me qëllim që të rritet dashuria ndaj shtetit dhe qeverisë shqiptare, të na sjellin një donacion me mjete mësimore, veçanërisht për parashkollorët sepse i kanë të kualitetit të lartë. Gjithashtu kërkova të kemi edhe bashkëpunim në aspektin kulturor, ekonomik dhe politik”, nënvizoi kryetari Bejta.

Deputeti Alfred Peza tha se kërkesat e kryetarit Bejta do i përcillen kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta, ndërsa tha se me Bejtën kanë biseduar për lidhjen e marrëdhënieve institucionale.

“Jo më kot e kishim ruajtur vizitën e fundit në Gostivar siç i themi ne shqiptarët “Ëmbëlsira në fund”, pasi për ne dhe për gjithë shqiptarët dhe shqiptarinë, Gostivari është qytet shumë i rëndësishëm. Nga ana tjetër e bën edhe më të rëndësishme këtë vizitë fakti se qeverisja lokale e qytetit të Gostivarit është në krye të lidershipit të qeverisjes së pushtetit lokal jo vetëm në Maqedoni por në gjithë rajonin, pasi gjithë ato punë që i ka bërë qeverisja lokale këtu janë marrë dhe po merren shembull nga komunat dhe nga bashkitë e tjera deri edhe në Shqipëri. Ne kemi zhvilluar takime në lidhje me arsimin, me kulturën shqiptare, me sportin shqiptar. Kemi pasur vizita jo vetëm në Shkup por edhe në Tetovë të cilat shërbyen për tu njohur më mirë më njëri tjetrin, për të marrë më shumë informacione për njëri tjetrin dhe për të lidhur marrëdhënie institucionale direkte me njëri tjetrin në mënyrë që mbështetja dhe përkrahja të jetë në mënyrë direkte dhe pa protokolle dhe pa shumë deklarata bombastike por praktike. Nga ana tjetër ne morëm përsipër që kërkesat e kryetarit të komunës të merren parasysh dhe t’i përcillen kryeministrit z. Edi Rama por edhe kryetarit të Parlamentit, z. Ilir Meta, gjithashtu edhe ministres së Arsimit nëpërmjet zëvendësministrit që është pjesë e delegacionit në mënyrë që nxënësit, fëmijët shqiptarë të kenë gjithmonë e më tepër kushte më të mira jo vetëm didaktike por edhe raporte më direkte me Shqipërinë me atdheun mëmë. Nga ana tjetër ne gjithashtu morëm për sipër si grup deputetësh ta thellojmë këtë marrëdhënie dhe tjerë grupe deputetësh dhe të tjerë ministra do vijnë nga qeveria dhe nga parlamenti i Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që ta shndërrojmë këtë qytet dhe këtë zonë edhe në një destinacion turistik dhe një destinacion të turizmit atdhetar, sepse kemi shumë çfarë të mësojmë nga historia. Fëmijët tanë por edhe fëmijët tuaj të vinë dhe të vizitojnë pjesë të qyteteve tona atje, në mënyrë që kështu ta gërshetojmë dhe ta lidhim më mirë këtë raport në mes nesh”, deklaroi deputeti Alfred Peza.

Exit mobile version