Kryeparlamentari i Maqedonisë, Trajko Veljanovski për të premten ka caktuar seancën për marrjen e mandateve të deputetëve të opozitës.
Sipas njoftimit të Parlamentit, Veljanovski për të premten ora 14.00, ka caktuar seancën ku në rend dite si pikë e vetme do të jetë propozimi për mandatet e deputetëve të opozitës. Komisioni parlamentar për imunitet dhe çështje të rregullores paraprakisht ka konstatuar se 31 deputetët e opozitës kanë munguar pa arsye për gjashtë muaj në seancat parlamentare.
Por vendimi i opozitës ka qenë politik sa i përket bojkotit të Parlamentit. Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM nuk njeh zgjedhjet e fundit parlamentare të fund prillit të këtij viti dhe se nuk qenë edhe maxhorancën aktuale, duke hequr dorë edhe nga mandatet e deputetëve.
Por, tanimë maxhoranca e përbërë nga 82 deputetët e VMRO-DPMNE dhe BDI duhet të sigurojnë 82 vota të deputetëve për të votuar për propozimin për marrjen e mandateteve. Në rast të marrjes së këtyre mandateve, Parlamenti duhet të shpallë zgjedhje të pjesërishme për këto mandate të opozitës, apo vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.