Site icon PORTALB

Gjysma e shqiptarëve mendojnë se policia është e korruptuar

Policia shqiptare

Ilustrim

Korrupsioni në Policinë shqiptare është në nivele shumë të larta. Këtë e mendojnë jo vetëm qytetarët por edhe vetë punonjës të policisë.

Nga një anketim i kryer kohët e fundit për përhapjen e korrupsionit në radhët e policisë janë 51 % e shqiptarëve që mendojnë se policia është mjaft e korruptuar.

Studimi i kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) jep shifra mbi mënyrën e perceptimit të korrupsionit në radhët e uniformave blu.

Sondazhi i realizuar për herë të parë ka mbledhur anketimet jo vetëm të qytetarëve, por edhe të vetë punonjësve të policisë, duke krijuar kështu një panoramë mbi nivelin e korrupsionit në uniformat blu.

Nga 1100 të intervistuar, 51 për qind e tyre mendojnë se policia është e korruptuar. Ndërsa vetë policët mendojnë se në masën 12.3% që korrupsioni brenda radhëve të tyre vlerësohet ‘konsiderueshëm si serioz’; 32.6% si ‘jo në nivele serioze’. Ndërsa 37.1% mendon se korrupsioni ndodh në ‘raste të izoluara’.

Megjithatë përfaqësues të Policisë mendojnë se sidomos vitin e fundit është bërë shumë për ta përmirësuar punën e policisë dhe për të ulur korrupsionin duke nisur që nga rekrutimet në punë e deri te trajnimet apo denoncimet online të qytetarëve.

Zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Altin Qato, ndërsa mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare “Forcimi i Integritetit të Policisë së Shtetit, tha se vitin e fundit ka pasur hetime dhe dënime të policëve të korruptuar ndërkohë që masat për ta ulur nivelin e korrupsionit vazhdojnë, duke i thënë akses edhe qytetarëve që të denoncojnë online raste të tilla.

“Gjatë vitit 2014 numri i punonjësve të Policisë dhe numri i zyrtarëve të lartë të hetuar dhe dënuar për korrupsion është rritur, po kështu është rritur edhe numri i punonjësve të ndëshkuar me masa disiplinore për veprime jo në përputhje me procedurën standarde apo vepra të tjera të dënueshme gjatë këtij viti. Masat e marra nga qeveria e Shqipërisë dhe rritjen e pagës së punonjësve të Policisë gjatë këtij viti kanë ndikuar në rritjen e performancës së shërbimeve policore si dhe në reduktimin e rasteve të korrupsionit. Dhënia e aksesit online të çdo qytetari për të bërë ankesë të drejtpërdrejtë për sjelljet e personelit policor në shërbim do jap ndikim”, ka thënë Altin Qato, zv/drejtor i Policisë së Tiranës.

Një anketim i IDM-së, nxjerr si më të korruptuar policinë rrugore. Ky sektor ka shkallën më të lartë të korruptimit sipas perceptimit si nga qytetarët ashtu dhe nga uniformat blu.

Nga niveli 1 (nuk ekziston) dhe 5 (shumë i përhapur), qytetarët e rendisin në shkallën 4.1, ndërsa policët e rendisin në shkallën 2.74. Sektori i Antidrogës dhe Trafiqeve është në shkallën e dytë për sa i përket perceptimit për nivelin e korrupsionit.

Forma më e raportuar e korrupsionit është ryshfeti dhe se shkak për këtë në përgjithësi është paga e ulët që kanë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Kështu, nga anketimi, 32% e të intervistuarve kanë deklaruar se i është kërkuar ryshfet nga Policia e Shtetit. Ndërsa 36% e punonjësve të policisë janë shprehur se të paktën një herë gjatë ushtrimit të detyrës u është ofruar ryshfet. Gjithashtu, 18% e policëve janë shprehur se kolegu i tyre të paktën një herë ka kërkuar ryshfet. /kp

Exit mobile version