Shqiptarët nuk po reagojnë spontanisht në Maqedoni. Reagimi shqiptar thuajse nuk ka pushuar ndonjëherë në Maqedoni, si përpara ashtu edhe pas gushtit 2001. Ky reagim permanent herë është ngritur e përkeqësuar, herë është ulur dhe vetëpërmbajtur, por gjithsesi ka qenë i pranishëm në jetën politike e ndëretnike në Maqedoni.
Rasti i fundit u provokua nga gjykimi tendencioz i gjykatës së Rajonit 1 të Shkupit për gjashtë djem shqiptarë, të cilët u akuzuan për rastin “Monstra” të vitit 2012. Ky rast ekstrem i një drejtësie tërësisht të politizuar ka ngritur shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Amerikë, Angli e kudo në botë. Pra, ka një reagim mbarë shqiptar e shumëmilionësh. Rasti i fundit ka shërbyer vetëm si ndezës i shpërthimeve publike. Ndërsa akumulimi i pakënaqësive ndër shqiptarët është shumë më kompleks, dhe ka të bëjë me ekzistencën e diskriminimit të dukshëm njerëzor e kombëtar të tyre në Maqedoni. Qeveria Gruevski e ka izoluar gjithë Maqedoninë rajonalisht. E brenda këtij izolimi, shqiptarët jetojnë si të getoizuar.
Për t’i arsyetuar veprimet e tij antishqiptare, Gruevski mban në koalicion BDI, si përfaqësuese të mazhorancës shqiptare. Kjo e komplikon situatën, krijon kaos ndër shqiptarë dhe i radikalizon ato drejt daljes jashtë kontrollit. Dhe ky fenomen është i natyrshëm. Kur qytetarët nuk ndjehen të përfaqësuar institucionalisht, atëherë iniciativa del në rrugë. Në këtë protestë masive e mbarë shqiptare kudo në botë nuk ka asnjë shkak, motiv, synim dhe veprim që të mund të arsyetojë . Shqiptarët nuk kanë dalë për shkaqe fetare, as nuk janë udhëhequr nga motive fetare e as nuk kanë parashtruar objektiva e ndërmarrë veprime fanatike fetare. Vetëm në kokën e Gruevskit e klanit të tij ekziston fanatizmi fetar i shqiptarëve. Në fakt, dihet në Maqedoni, Bullgari, Shqipëri, Greqi në Evropë e SHBA, që Gruevski është pjella e fundit e fanatizmit sllavo-ortodoks në Ballkan. Gruevski është monstra e vërtetë e politikës maqedonase. Ai ka huazuar taktizimet e Garashaninit, Çubriloviçit e Millosheviçit për të provokuar epitetimin radikalist islamik të shqiptarëve në rrafsh
ndërkombëtar. Mirëpo kjo taktikë është po kaq ridikuloze sa edhe statujat e fiksioneve historike me të cilat është mbjellë Shkupi.
Nuk e sheh te ardhmen e Maqedonis faktori ndërkombëtar pa shqiptarë?
Pa shqiptarë nuk ka Maqedoni. Këtë fakt tanimë e njeh gjithë faktori ndërkombëtar që përcjell zhvillimet në Maqedoni nga viti 2001 e këndej. Vetëm klani nacionalist e fanatik fetar i Gruevskit nuk e pranon një fakt të tillë. Duke qenë se shqiptarët janë element konstituiv shtet-formues në Maqedoni marrëdhëniet ndëretnike janë baza e unitarizmit të shtetit Maqedoni dhe e kohezionit të shoqërisë së atij vendi. Unitarizmi shtetëror dhe kohezioni social i brendshëm në Maqedoni kushtëzohen nga plotësimi dhe respektimi i lirive e të drejtave njerëzore dhe komunitare të shqiptarëve. Alternativa tjetër është fundi i Maqedonisë si shtet unitar i pavarur e sovran.
Ose do ekzistojë me shqiptarë e nëpërmjet bashkëjetesës demokratike e multietnike shqiptaro-maqedone, ose nuk do të ekzistojë fare. Maqedonia nuk ka alternative.