Prej ekujvalentimit dhe njohjes reciproke të diplomave me Shqipërinë ka mbetur vetëm emërtimi në letër. MASH ka kthyer procedurat torturuese të nostrifikimit dhe për më tepër – kandidatëve u kërkohet që të kryejnë edhe punën për të cilën paguhen anëtarët e komisioneve përkatëse, shkruan Koha.
Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi, thotë se procedura e njohjes së diplomave, sikurse është përcaktuar edhe me Ligj, nuk zgjatë më tepër se 20 ditë nga data e dorëzimit të dokumenteve. Madje, ai pranon se janë disa lloj dokumentesh si ai i validitetit të diplomës, apo ai i akreditimit të institucioneve të huaja të arsimit të lartë, të cilat duhet të sigurohen nga MASH-i dhe jo nga kandidatët. Pra, bëhet fjalë për dokumente të cilët sigurohen në rrugë zyrtare apo komunikimit institucional. “Ne zakonisht këto dokumente, që kanë të bëjnë me validitetin e diplomës dhe të asaj nëse institucioni që e ka ndarë atë është i akredituar në shtetin amë, zakonisht këto dokumente i sigurojmë në rrugë zyrtare. Mirëpo, ndodhë ndonjëherë që anëtarë të komisioneve t’jua kërkojnë kandidatëve këto dokumente, nëse nuk arrijnë të bien në kontakt me institucionet kompetente. Por, në të shumtën e rasteve, sigurimi i këtyre dokumenteve bëhet në mënyrë zyrtare”, deklaron ministri.