Nuk ka ekip hendbolli që i ndalë vashat nga Çairi

Me një lojë maestrale hendbollistet e reja të Çairit e kanë mundur edhe një nga ekipet konkurrente për vendin e parë, skuadrën e “Ovçe Poles” nga Sveti Nikole, me rezultat të përgjithshëm 30:24 (11:13), ndeshje kjo e cila u luajt në palestrën sportive “Enver Idrizi”.
Edhe pse vashat e Çairit e filluan ndeshjen mirë dhe me diferencë prej dy golash, shumë shpejt mysafiret e morën veten dhe kishin një epërsi të lartë me rezultat 5:10, ndërsa ashtu sikur iknin minutat për të përfunduar pjesa e parë, vendaset zbutën rezultatin në dy pikë diferencë, për të shkuar në pushim me 11:13.

Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe, të organizuara në të gjitha repartet dhe me përkrahjen e publikut, skuadra shkupjane e nisi mirë lojën dhe shumë shpejt barazuan në 14:14, e që në minutën e 34 të merr epërsinë në 15:14, por mysafiret vetëm edhe një herë kaluan në epërsi gjatë rezultatit 16:17, që vazhdimi i ndeshjes të dominohet gjithmonë nga Çairi deri në minutat e fundit, kur edhe ndeshja përfundoi me 6 gola diference 30:24.

Ndeshja ishte shumë e fortë dhe e vërtetoi epitetin derbi, e që nga stafi i ekipit dhe vet lojtarët falënderuan edhe publikun e zhurmshëm për këtë fitore.
Edhe pse në këtë ndeshje një nga hedbollistet më të reja, Leonora Rrahmani kishte shënuar vetëm 3 gola, ajo ishte si alfa e omega e ekipit, duke ndihmuar skuadrën si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

Një aksion i Leonora Rrahmani
Një aksion i Leonora Rrahmani

“E fituam edhe këtë ndeshje falë dëshirës së madhe dhe shpirtit luftarak që e kishim të gjitha lojtaret. Në fillim të pjesës së parë mbrojtja jonë ishte në nivel të duhur, por kishim probleme në realizim në sulm dhe në pjesën e parë nuk kishim edhe shumë përkrahje nga publiku.
Mirëpi pjesa e dytë ishte krejtësisht tjetër. U kombinuan mirë tri pikët kryesore, kishim mbrojtjen, sulmin dhe publiku u ngjall e që na motivuan edhe më shumë që të vijmë deri te kthesa në lojë, për çka të gjithë ne i falënderojmë publikisht. Shpresojmë që edhe në ndeshjen e fundit të arrijmë fitore dhe të përfundojmë sezonin si kampione të Ligës së Parë”, tha enkas për Portalb hendbollistja 14 vjeçare, Leonora Rrahmani.
Në këtë ndeshje më e mira me 9 gola të shënuar ishte Lejla Jashar, nga gjashtë shënuan Melisa Ajdini dhe Angela Jançeva, 5 ishin vepër e Ena Drpljanin dhe një gol Zana Shehi.
Ndeshjen e fundit ku do të mësohet se cila skuadër do të jetë kampion vjeshtor, do ta mësojmë pas duelit në Shtip ku takohen Kozhuvçanka vendase dhe KH Çairi. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button