Site icon PORTALB

TË GJITHA BOMBAT E PREMIERIT!

Mersel Bilalli

Mersel Bilalli

Lidhur me aferën në “Fokus”, kolegia Najçevska thotë – “kjo është arsye për rënien e qeverisë dhe nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë mund të konstatojmë se nuk kemi shtet, por një bandë mafioze që kontrollon një territor”. Kolege e nderuar, këtu seriozisht i keni ofenduar mafiozët! Ata së paku kanë një sistem të rëndë, për dallim nga këto, të cilëve duhet t’u gjejmë një emër, pasi të killë nuk kemi pas në histori.

Para do ditësh, Gruevski pat deklaruar se do të revanshohet me do “bomba pozitive”! E në fakt ne tani tetë vite bombardohemi me rrena e mashtrime. Bomba e parë u pat aktivizuar kur para nëntë vitesh pushteti premtoi se do të na shndërrojë në Zvicër dhe se s’ka nevojë të integrohemi në UE, pasi ato do të integrohen te ne! Bomba e dytë – kur u pa se s’ka gjë nga ekonomia dhe u aktivizua nacionalizmi – “askush nuk mund të na e then korrizin e ta ndërrojmë emrin”. Bomba e tretë kishte të bëjë me referendumin për emrin. “Nëse më pyesni se si do të votoj në referendum – unë do të votoj kundër – pat thënë atëherë kryeministri. Bomba e katërt ndodhi me premtimin prej tetë miliardë euro investime, të cilat u shndërruan në mjegull. Bomba e pestë ishtë afera “Aktor” dhe banesat e lokalet afariste të vmro-vcëve në vlerë prej qindra milion euro! Bomba e gjashtë ishte “Makedonska Banka” ku Gruevski tregoi se organet e jurisprudencës i shërbejnë si gjeth fiku apo si një partall për pastrim toaleti. Bomba e shtatë ishte afera “Zagorac” me korpus deliktin që dukej nga Hëna, por i padukshëm për gjykatën! Bomba e tetë ishte deklarata e Gruevskit se ka mundësi që të humbet rekomanda për bisedime – “asgjë nuk përjashtohet. Çdo gjë që japin, mund edhe të marrin. Por, shpirtin nuk mund të na e marrin” – do të deklarojë kryeministri…

Tani është momenti që edhe unë të hedh një bomëz – e të them se fundi i pushtetit është krejt afër, bashkë me makinerinë e tij gebelsiste, e cila do të duhet të përgjigjet për rolin e saj në suspendimin e shtetit (grushteti paqësor). Afera me pasaportat është vetëm një lojë fëmijësh krahasuar me atë që priten të ndodhin. Me qëndrimin e vet partiak injorues, pushteti vetëm se pranoi veprën. Në një shtet elementar normal kjo do të shkaktonte kaos të madh, por pasi që pushteti atë e shpalli “komedi”, me siguri se bëhet fjalë për tragjedi. Çudi e paparë se sa e nënçmojnë inteligjencën e njerëzve, duke e barazuar atë me nivelin e një pule. Mendoj se ka përfunduar era kur paguanim nga xhepi për gebelsizmin i cili gjithë kohën na mashtronte. Gjysmë milion njerëz kanë lëshuar vendin nga “patriotizmi” i kësofar “patriotëve”. Njerëzit ikën, vdiqën, u vranë e u vetvranë nga varfëria, që “patriotët” të jetojnë të pasur.

Por, mashtrimeve u erdhi fundi. Askush më nuk beson në “liderizmin botëror “ në duing-biznis kur jemi më të mjerët në botë. Na bindnin se kemi ekonomi të shëndoshë, por që problemi qëndron te ne që s’jemi aq të shëndoshë që ta ndiejmë. “Hapën” vende të reja pune, që një e treta e popullatës të jetojë në skamje! U granatuan proceset integruese me zjarrhudhës antik që pa kontroll të vjedhen të mirat publike. E gjithë kjo në emër të patriotizmit. Kurse emri ishte mjet realizimi. Në fakt ai problem do të shuhej nga vetvetja kur para 2012 të ishim të anëtarsuar edhe në NATO edhe në UE me emër të përkohshëm, me ç’rast papunësia do të binte nën dhjetë përqind, kurse rroga mesatare do të mbërinte afro 700 euro. Por, që të jeni burrshteti, së paku do të duhet të besoni në Zot apo moral. Atëherë do të kuptonim se anijet janë më të sigurta në porte, por ata nuk janë konstruktuar për atë qëllim.

Kryeministri ra në nivel më të ulët kur në nivelin e rrugës u përla me studentët, kurse ato në nivelin e një kryeministri ia kthyen – “Jemi të lodhur nga retorika e kryeministrit, derisa ai veprimeve tona u jep konotacion partiak. Plenumi studentor, do të vazhdojë që ta rikthej nivelin akademik të bazuar në qasje kritike e analitike, e jo në diskualifikime personale dhe etiketime”.

Kurse, kryetari Ivanov gjithmonë i lumtur – “Me kënaqësi mund të them se sot Maqedonia ka një rritje më të lartë ekonomike në rajon, hapen vende të reja pune pë të rinjtë të cilët nuk mund të presin vite e vite që t’u zgjidhen problemet që iu janë imponuar”. Asesi ky të kuptojë se lumturia për njerëzit përfundon në shkallët e rezidencës së tij. Brenda tek ai ka dritë të mjaftueshme, por rreth saj e gjithë është terr. Nga ai terr, madje nuk shihet as raporti i Organizatës botërore të punës (ILO), se shteti me rreth 54 përqind të papunë te të rinjtë është rekord botëror! Se me mbi 30 përqind të papunësuar jemi lider botëror në papunësi. A të lëvdohej pak me këto absurde zoti Stavrevski!?

Kurse, Musa Xhaferi e hodhi në kantë premtimin e liderit të vet se poqëse Maqedonia nuk anëtarsohet në NATO gjer në samitin që shkoi, BDI do ta lëshojë qeverinë. Por, vetëm një i marrë do ta kishte lëshuar pushtetin që ekziston vetëm për ta. Madje, presin që ALSAT-M tua kryej punën!!! Kurse vet shëmtimet e mëdha t’i mbulojnë me flamuj të mëdhenj!

Exit mobile version