Site icon PORTALB

Zgërdhierja e Ministrave…

Arianit Xhaferi

Arianit Xhaferi, "Eco Guerila"

28 Nëntori ka qenë gjithmonë një nga ditët më të dashura për të gjithë shqiptarët, sepse kjo festë i bashkon ata, kudo që të ndodhen. Flamuri kuq e zi, muzika e bukur shqipe, urimet për këtë ditë të shenjtë për ne; të gjithë shqiptarët i gëzohen kësaj feste. 28 Nëntori i vitit 2014 për Tetovën është një ditë edhe më e veçantë sepse në këtë ditë u hodh gurthemeli për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës së shumëpritur në këtë qytet.

Siç është e zakonshme kur hidhen gurthemele për objekte të këtilla (por edhe më pak të rëndësishme se kjo), aty grumbullohen kryeministri, ministra, zëvendës të tyre, e gjithë qeveria është aty. Kuptohet që nuk mungojnë as autoritetet lokale për të marrë pjesë në hedhjen ceremoniale të “një llopate” në gurthemel. Nuk mungojnë as drejtorët e institucioneve të ndryshme publike…

Zgerdhihen

Duke qenë se tashmë disa vite me rradhë Tetova është qyteti me ajrin më të ndotur në vend, dhe disa herë edhe në Evropë, lëvizja EcoGuerilla vendosi që gjatë këtij ceremoniali të jetë në shërbim të të zgjedhurve, për dallim nga çdoherë tjetër kur i ka shërbyer vetëm qytetarëve. Si gjithë qytetarët tjerë, edhe ne jemi të sigurtë që janë ata (të zgjedhurit tanë) që duhet të na mbrojnë neve (zgjedhësve të tyre) nga ajri i helmuar që po thithim, por duke qenë se ata s’kanë fuqi apo vullnet për ta bërë një gjë të tillë, një grup aktivistësh vendosën t’ju japin maska atyre (qeveritarëve) për t’i mbrojtur nga ajri i keq.

“Bomba e tymit” që EcoGuerilla sot ua lëshoi ministrave dhe funksionarëve para se të kapnin llopatat para kamerave, do duhej t’i bënte ata të qanin por për ndonjë arsye atyre ju vinte për të qeshur…

Zgerdhihen

Për dallim nga sasia e grimcave PM10 që në Tetovë është gjithnjë mbi mestaren e lejuar, sasia e Dioksidit të Azotit – NO2 (gazit që ju bën të qeshni) ka qenë relativisht e vogël, dhe nuk dihen akoma arsyet se çfarë e shkaktoi zgërdhierjen e ministrave në një moment që një lëvizje qytetare po mundohet t’i mbrojë ata nga helmimi.

Nëse ndiqni nëpër portale të ndryshme lajmin për këtë aktivitet të EcoGuerilla, do lexoni komente të shumta të lexuesve të cilët qortojnë këtë sjellje të pahijshme të tyre. Këto komente më sjellin ndërmend një thënie të vjetër që këtu ja gjen vendin: “Nëse një njeri ju quan gomar, injorojeni. Nëse pesë njerëz ju quajnë gomar, atëherë blejeni samarin!” Unë për vete arrita të numëroj së paku 50 njerëz që qortonin sjelljen.

Po e mbyll këtë shkrim duke shpresuar që ministrat tanë nuk do e kalojnë gjithë mandatin duke u zgërdhirë, por do luftojnë dhe do të punojnë për të mbrojtur qytetarët e tyre.

Exit mobile version