Një cigare ka djegur të gjallë dy shqiptarë, në përpjekje për të hyrë ilegalisht në Angli. Raportohet se të rinjtë janë shkrumbuar nga flakët e zjarrit që shpërtheu në kamionin, ku ata ishin fshehur rreth orës 19:30 të mbrëmjes së të mërkurës. Trupat e viktimave janë gjetur terësisht të karbonizuar.
Lajmi është përcjellë edhe nga mediat franceze dhe ato britanike, të cilat kanë publikuar dhe pamjet e kamionit në flakë. Kamioni drejtohej nga një shtetas polak dhe ishte nisur nga Polonia, ndërsa u përfshi nga flakët në terminalin e trageteve pranë Dunkirk.
Policia franceze ka bërë ndalimin e drejtuesit të kamionit, ndërsa ai ka mohuar të ketë pasur dijeni se në pjesën e pasme të mjetit që drejtonte kishte emigrantë.
Mediat raportojnë se ngjarja dyshohet të jetë shkaktuar nga një cigare e hedhur nga viktimat, që më pas ka djegur edhe pëlhurën që mbulonte pjesën e pasme të kamionit, ku ishin fshehur. Mësohet se vajza që ka mbetur e vdekur është nga Rrësheni, Rina Kaçorri, 22 vjeç dhe ishte nisur ilegalisht për tu bashkuar me bashkëshortin e saj qe ndodhej në Angli. Ajo shoqërohej nga djali i dajës së burrit të saj, Rexhë Mynzyra, që po e ndihmonte për të mbërritur në Angli. /albeu