Site icon PORTALB

Abdilaqim Ademi i BDI-së flet për diplomën e tij, që thuhet se e ka blerë

Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi ka reaguar, pas një shkrimi të Kastriot Myftarajt, i cili e akuzonte atë se ka marrë diplomë false.

Titulli i fjalës të Ademit ka qenë “Një sqarim për të paudhët”, ku shpjegon se të gjitha ata që thuhen për veprimtarinë studimore të tij dhe vënia në dyshim për diplomën origjinale të universitetit janë vetëm shpikje.

“Shtrëngohem të shkruaj këtë sqarim për të hedhur poshtë si të paqena, krejtësisht shpifje dhe fabrikime, shkrimet që hedhin dyshim mbi vërtetësinë e diplomës sime universitare. Këto ditë, qarqe të caktuara, të cilave vendosmëria ime dhe e MASH-it për të reformuar arsimin e lartë, nuk u shkon pas midesë dhe mbase u dëmton në mënyrë të parikthyeshme interesat personale a grupore, kanë ndërmarrë kundër meje një fushatë sulmesh ad hominem. Për këtë nismë të ndyrë, është bërë pre një shkrim i vjetër i një publicisti shqiptar që i margjinalizuar atje ku vepron, përpiqet të jetë në qendër të vëmendjes në Maqedoni. E vërteta është kjo: studimet universitare i kam filluar në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, drejtimi Metalurgji, në qytetin e minatorëve në Mitrovicë, ku kam mbaruar dy vite. Për shkak të masave të dhunshme serbe në Universitetin e Prishtinës, studimet u detyrova t’i vazhdoj në UP në Tiranë, ku kam diplomuar në korrik të vitit 1996 në Universitetin Politeknik në Tiranë, dhe kam titullin: Inxhinier i diplomuar i Metalurgjisë. Kjo është e vërteta.”, përfundon sqarimi i Ademit.

Exit mobile version