Site icon PORTALB

Qeveria në kurriz të qytetarëve mbush arkën me para

Para, denar

Fondi për sigurimin pensionalo invalidor ka dhënë të gjitha detajet lidhur me ndryshimet e Ligjit për kontributet e sigurimit të detyrueshëm shëndetësorë.

Profesoresha e Institutit për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike Mirjana Najçevska theksoi se për këtë ligj është dashur njëherë të debatohet dhe jo të vendoset në këtë mënyrë.

“Unë jam kundër këtij ligji, së pari është dashur të hapet debat dhe të diskutohet për këtë çështje dhe jo të vendoset kështu, vlerësoj se ai është diskriminues sepse trajton vetëm disa kategori dhe disa të tjera nuk i prek fare, me këtë shteti merr dy herë të holla nga disa, dhe më pas beneficionet ngelin të njëjta. Atëherë ku është këtu esenca e këtij ligji, kush po përfiton nga ky ligj?, normal vetë shteti”, tha për Portalb, Najçevska.

Gjithashtu edhe profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti vlerëson se ky ligj u soll tani sepse nevojitet të mbushet arka e shtetit.

“Ky ligj i cili imponon kontributin e detyrimeve është antikushtetues dhe nuk ka bazë logjike dhe ekonomike. Ky është sjellë vetëm për një gjëllim e ai është për mbushjen e arkës shtetërore. Këtu ka përdorim të standardeve të dyfishta sepse nuk vlejnë të njëjtat kushte për të gjithë, andaj këtu kemi një thyerje flagrante sepse sektori publik nuk është i detyruar që të bëjë këto pagesa. Kjo dëshmon se shteti kujdeset për qeverinë dhe jo për qytetarët”, tha për Portalb, Bexheti.

Ai shtoi se Komuniteti i biznesit duhet të ngre procedurë për bazë kushtetuese sepse këtu kompanitë dëmtohen dhe shteti fiton, andaj sipas Bexhetit ky ligj nuk është me jetë të gjatë.

Nga ana tjetër juristi Osman Kadriu vlerëson se ky ligj është pozitiv dhe do të ishte shumë i pranueshëm nëse nuk do të ishte diskriminues.

“Në parim ky ligj është shumë i mirë sepse do të jepet mundësia e pagesës së kontributit dhe rriten të dhënat në fondet e shtetit që ndikon pastaj në rritjen e pensionit. Ajo që e bën këtë ligj të papranueshëm nuk është pagesa e kontributeve të atyre që janë me honorare, por që ky ligj nuk përfshin të gjithë kurse beneficionet janë të njëjta dhe këtu kemi diskriminim, nuk është në përputhje me kushtetutën. Gjykata kushtetuese nëse nuk vendos politikisht dhe vendos në anë të drejtësisë atëherë do të hidhte poshtë këtë ligj”, tha për Portalb, Kadriu.

Ndryshimet e fundit të Ligjit hunë në fuqi më 1 janar 2015 dhe parashohin pagesën e kontributeve për sigurimin pensionalo invalidor  edhe për personat të cilët kanë realizuar të ardhura në formën e honorarëve. /Portalb

Exit mobile version