“Bomba” e radhës, Muharrem Bajrami te Shkupi!?
Klubi Futbollistik Shkupi me shumë seriozitet të madh ka filluar përgatitjet për të qenë ekip sa më e kompletuar në garat në Ligën e Dytë. Derisa ekipi ka vazhduar përgatitjet e fazës së dytë në Strugë, kryesia e klubit vazhdon të bëjë përpjekje të sjell futbollistë me përvojë. Ditë më parë sapo nënshkruan kontratë me Mumin Sallain, ndërsa tani në radhë janë dhe futbollistë të tjerë.
“Portalb” mëson se kryesia e KF Shkupi ka filluar bisedimet edhe me Muharrem Bajramin, një nga futbollistët që ka lënë gjurmë si në ligën vendore, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Në bisedë telefonike me Muharrem Bajramin mësojmë se oferta e KF Shkupit mundë të jetë e pranueshme nëse “Muki” nuk arrin akord me ndonjë nga ekipet e Ligës së Parë.
“Kam disa oferta shumë serioze dhe jemi duke i shqyrtuar një nga një. Kam biseduar dhe me KF Shkupi, ekip që e kam në zemër dhe që dua seriozisht ta ndihmoj shumë. Më herët kisha filluar bisedime me disa klube nga Liga e Parë dhe sapo të përfundojnë ato, që do të thotë deri të mërkurën do të sjell dhe vendimin përfundimtarë se cilën fanellë do ta barti gjatë sezonit në vazhdim”, ka thënë Bajrami.
Nga ana tjetër Bajrami nuk ka fshehur edhe ofertën që i është bërë nga “Ballistët”, tifo grupi i Shkëndijës të cilët duke parë se punët po shkojnë nga e mbara me sponsorin e mundshëm, “Ecolog”, kanë shprehë dëshirë që në radhët e klubit të tyre të jetë dhe shkupjani Muharrem Bajrami. Pritet që në ditët në vazhdim të qartësohet e gjithë situara lidhur me ekipin e Shkëndijës, në ndërkohë edhe Muharrem Bajrami do të ketë të qartë se me cilën fanellë do të luaj sezonin e ri futbollistik. / Portalb