Site icon PORTALB

Mesazh nga Sllupçani: BDI të tregojë patriotizëm me përkujdesje ndaj dëshmorëve, e jo me përulje

Përkulja e ish ministrit Besimi

Përkulja e ish ministrit Besimi

Të dëshpëruar dhe të zhgënjyer nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, disa nga banorët e Sllupçanit që flasin për Portalb nuk do të ishin të kënaqur me vizitën eventuale të ministrit të mbrojtjes Talat Xhaferi më 13 gusht për tu përkulur te varrezat e dëshmorëve në këtë fshat. Ata thonë se njëherë duhet zgjidhur statusi që 14 vite mbetet i pazgjidhur për ata që ranë në luftën e 2001-shit si dhe për familjet e tyre. Njëkohësisht, shprehen të indinjuar se asnjë investim nuk është bërë në këtë fshat që ishte vatër lufte në 2001shin e banuar me shqiptarë.

“Ne nuk ia ndalojmë askujt të hyjë në fshat sepse megjithatë ne jemi mikpritës mirëpo 13 gushti nuk i lidh ata aspak me dëshmorët, ata vijnë për të bë marketing. Tash që është më me rendësi është zgjidhja e statusit të dëshmorëve të luftës, gjitha partitë shqiptare duhet ta kenë parasysh këtë jo vetëm BDI por edhe PDSH dhe tjerat i cili është i pazgjidhur gati 14 vite” thotë ish deputeti nga Sllupçani, Fatmir Hasani.

Ai thekson se nuk ia vlen të vizitohen nga funksionaret sepse irritojnë popullatën më shumë e cila është katandisur në kushte të rënda.

“As lapidari te varrezat nuk është ndërtuar. Në kohën e Branko Cërvenkovskit vendosën disa thupra të hekurta të lapidarit dhe unë isha një ndër anëtarët e komisionit që të vendoset ky lapidar por prej asaj dite ai nuk u ngrit më. Shumica e fshatarëve janë të nevrikosur sepse nuk është ndërtuar asgjë, ende ka shtëpi të rrënuara, nuk ka rrugë të asfaltuara dhe nuk ia vlen të vinë për marketing, të punësohen familjarët e dëshmorëve” thotë Hasani.

Ai thekson se Maqedonia edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, mbeti shtet i maqedonasve.

“Nën komandën e komandantit ne i lëshuam armët sepse prisnim që Marrëveshja e Ohrit të na bëjë neve shqiptarëve si popull konstituiv por të gjithë e dimë se çfarë ndodhi dhe si u ndryshua kjo si mbeti shteti i maqedonasve” thotë Hasani.

Ndërkaq babai i djaloshit Abdylmexhid Shahini, i cili u vra në moshën 14 vjeçare, Selajdin Shahini njëherit dhe kryetarit të bashkësisë vendore në Sllupçan thotë se patriotizëm nuk është përkulja por përkujdesja ndaj dëshmorëve.

“Ata mund të vijnë në fshat dhe të them “të jenë krenarë” për dëshmorët e luftës por realisht e dimë se ata nuk përkujdesen aspak i lanë dëshmorët në gjendje të keqe, duke filluar nga mos-miratimi i ligjit për rregullimin e statusit të tyre. Ata s’mund ti ndalim ta vizitojnë por thjeshtë nuk ndjehemi mirë, jemi shumë të zhgënjyer nga mënyra si keqpërdorin gjakun e dëshmorëve për marketing politik. Për mua është e padëshirueshme që ata nuk kanë vizituar këtë vend asnjë ditë më parë. As kemi të ndërtuara shtëpitë e as veturat kanë ku të lëvizin, as pyesin a keni me ngrënë apo jo” thotë Shahini për Portalb.

Ai sqaron se familjen e tij që ka ngelur pa trashëgimtar pas vrasjes së djalit të tij 13 vjeçar nuk e ka ndihmuar askush.

“Edhe pak behet përvjetori i djalit tim që vdiq 14 vjeçar, nuk ka lënë as pasardhës, unë të themi kam mbetur më jetim se jetimët dhe askush nuk pyet si jemi. Nuk e di si ta sqaroj si ta përshkruaj indinjatën time” shprehet Shahini.

Hadi Osmani, banor i fshatit Sllupçan thotë se nuk ka asgjë kundër të shkojë delegacioni i BDI-së atje sepse sipas tij, punësime sporadike ka pasur pas 2001, kush është bërë polic e kush administrator, por BDI duhet pasur kujdes si bën politikën ndaj shqiptarëve.

“Bërja e politikës nga politikanët shqiptare në Maqedoni nuk duhet të kuptohet si luks por si vazhdimësi e përpjekjeve të përgjakshme të atyre që flijuan dhe jetën për të përmirësuar situatën e shqiptarëve” thotë Osmani për Portalb.

Ministri i mbrojtjes Xhaferi për Portalb nuk deshi të komentojë deklarimet e tilla. 

Vitin e kaluar bujë të madhe në opinion bëri përkulja e ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi te varrezat e dëshmoreve, ku opinioni u nda në linja etnike shqiptarët që përkrahën atë dhe maqedonasit që ishin kundër duke përfshi dhe partinë e Gruevskit VMRO DPMNE e cila më pas doli me propozim ligj për “branitellat”. Ende nuk ka epilog për këtë propozim ligj e aq më pak ka iniciativë për Ligj për dëshmoret e UÇK-së. /Portalb

Exit mobile version