Pasi eksperimentonte prej tre vitesh duke mbajtur pa pushim orën verore, Rusia pritet që të ndryshojë të dielën në orën dimërore, për të mos ndryshuar më pranverën e ardhshme. Një lëvizje kjo që mbështetet edhe nga Presidenti Vladimir Putin, pasi ora verore nuk fitoi shumë popullaritet. Mbështetësit e kësaj nisme thonë që ajo do të sjellë përfitime për popullsinë, e cila do të ketë një orë më shumë dritë në ditë, çka do të shtojë jetën aktive. Por mendimet mbi këtë temë janë të ndryshme.
Në konferencën ku edhe u propozua qendrimi i përhershëm në orën dimërore, përfaqësuesit e Akademisë Ruse të Shkencave argumentuan se kështu, Europa do të jetë më afër, pasi ndryshimi me Orën e Grinuiçit do të jetë vetëm tre orë. Megjithatë zëvendësdrejtori i Institutit të Gjeografisë, Arkadi Tishkov, tha se ndryshimi do të mbajë njerëzit më të gozhduar para televizorit.
“Mendoj se është minus i madh për vendin që pak njerëz, të mbështetur nga kompanitë e marketingut kanë vendosur që të bëjmë këtë ndryshim, që ndikon në jetët e 142 milionë njerëzve”, tha Tishkov. Punonjësja e Institutit Mjeksor, Svetllana Stepanova, vuri në dukje se ky ndryshim nuk do të ndikojë në jetët e njerëzve. “Ora dimërore nuk ka asnjë efekt në përkeqësimin e shëndetit të njerëzve”, tha ajo./ Oranews/