Eshtë indinjuar dhe i zemëruar sa kushdo shqiptar tjetër për vendimin e sotëm të UEFA-s, që ndëshkon Shqipërinë me humbjen në tavolinë, 3-0 të ndeshjes me Serbinë.
Edhe për kryeministrin Edi Rama, UEFA nuk dha drejtësi kur vuri shenjën e barazisë mes agresionit racist, dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen. Ishte vendim politik por ai nuk ndryshon as kur i shpall luftë UEFA-s .
“UEFA- tha Rama- funksionon si shtet më vete. Vendimet merren në bazë të politikës së saj të brendshme, dhe nuk ka lidhje me politikën e jashtme shqiptare as atë europiane.”
Por ka vetëm një rrugë për Shqipërinë rruga që po ndjek FSHF. “Vazhdimi i betejës për të marrë drejtësi në shkallët e tjera të gjykimit, provat janë kokëfortësisht në favorin tone” tha Rama në një dalje publike nga kryeministria disa orë pas vendimit të bërë publik nga UEFA për ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Rama dha dhe një detaj të ri: Ndeshja e kthimit do të luhet në Shkodër dhe jo në stadiumin e Elbasanit.
“Në ndeshjen e kthimit Shqipëri – Serbi, duhet të ketë vend për të paktën njëzet mijë zemra kuqezi” tha Rama./ OraNews