Site icon PORTALB

O ju gazetarë, zgjohuni!

Afërdita Abdiu

Afërdita Abdiu

Është dashur që lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti të shkojë në Tiranë, të takojë Blendi Fevziun, dhe në një intervistë prej vetëm 20 minutash të tregojë se kur do ta len politikën, kush i kërkoi që të ndahet Republika e Maqedonisë, të komentojë rastin Monstra dhe protestat që u mbajtën për hir të vendimit të gjykatës, tendencat e dështuara për krijimin e një formacioni të ri politik, raportet shqiptaro-maqedonase ,e shumë çështje tjera që u shpalosën në ato pak minuta nga vet z.Ahmeti.

Çështja qëndron në atë se përse politikanët tanë ,këtu në Republikën e Maqedonisë, rrallë herë (për të mos thënë asnjëherë) ftohen në emisione për të folur për tema të ndryshme të cilat u interesojnë atyre që i kanë votuar por edhe atyre që i kanë akuzuar. Lexojmë shpesh që gazetarët nëpër rrjetet sociale shkruajnë për politikanët, i parashtrojnë ato pyetje ironike retorike, e nuk marrin guximin që të ftojnë nëpër emisionet e tyre politikanët, e ato pyetje të ua parashtrojnë aty.

Një tjetër fakt që na habit është se në emisionet ku trajtohen çështje politike ,kur ndodh që të thirret një politikan , në studio nuk ftohen analistë. Kjo padyshim na bën të mendojmë se ka diçka më të thellë nga ajo që shohim ne. Mos ndoshta çëshjta është mjaft e politizuar dhe pyetjet e gazetarëve janë paraprakisht të përgatitura nga i ftuari i emisionit?!Apo ndoshta ekzistojnë motive tjera personale.

Thënë ndryshe, gazetarët duhet ndryshuar qëndrimin e tyre sepse vërtetë popullsia ka nevojë që të dëgjojë politikanët të flasin për projektet të cilat i premtojnë gjatë fushatave zgjedhore ,të dëgjojë se çka është realizuar nga ajo që është premtuar. Nuk është mirë që një herë në katër vite të dëgjojmë fjalimet premtuese të politikanëve. Duhet që media në Republikën e Maqedonisë ,të jep më tepër hapësirë që të mbahen më shpesh debate të llojit siç ishte ai i mbrëmshmi tek Opinioni i z.Fevziut.

Exit mobile version