Pasi kryeministri Rama njoftoi se Qeveria do të nisë shumë shpejt një aksion me dorë të hekurt ndaj atyre që vjedhin energjinë elektrike, një reagim ka pasur nga Sali Berisha, i cili e quan si mashtrimin e radhës.
“Rritja e re me 71% e çmimit të energjisë përbën ndëshkim të rëndë për shqiptarët!
Të dashur miq, Edvin Kristaq Rama i’u premtoi shqiptarëve heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike dhe për rrjedhojë uljen me 20% të çmimit të saj.
Pas nje viti ai po bën të kundërtën. Duke hequr çmimin me 77 lekë për 300 kw e parë, ai rrit çmimin e energjisë me së paku 71% për 60 % të shqiptarëve që konsumojne më pak se 300 kw në muaj. Kjo është një goditje e rëndë për buxhetin e familjeve shqiptare, për të gjitha bizneset e vendit që do shoqërohet me një rritje të madhe të varfërisë, mjerimit, shkurtimit të vendeve të punës por dhe vjedhjes e shpërdorimit të energjisë.
Të dashur qytetarë, sipas programit afatmesëm për energjinë, më daten 1 janar 2015 duhet të fillonte ulja e çmimit të energjisë, i cili u mbajt pa u rritur në 5 vitet e fundit. Ata që ju thonë se në Shqiperi çmimi i energjisë është i ulët, mashtrojnë dhe vetëm mashtrojnë. Aktualisht çmimi i energjisë në Shqipëri nominalisht dhe i mesatarizuar sipas Eurostatit është 30-40% më i lartë se sa në shumicën e vendeve të rajonit si Bullgari, Maqedoni, Serbi, Bosnjë Hercegovinë. Kurse realisht ( i proporcionuar me rrogat dhe pensionet ) është më i lartë se në çdo vend tjetër të Europës.
Tabela Eurostat në linkun -http://epp.eurostat.ec.europa.eu/statistics_explained/index.php/Electricity_and_natural_gas_price_statistics
Qeveria rrit çmimin e energjisë, e cila në Shqipëri prodhohet me koston më të ulet në Europë (sepse është 100% ujore) vetëm për të mbuluar vjedhjet e veta në menaxhimin e energjisë dhe gjobën prej 1.1 milionë lekë që u beri çdo qytetari shqiptar me tërheqjen nga arbitrazhi dhe marrëveshjen korruptive që firmosi me CEZ. Perveç këtyre, qeveria ktheu faturat aforfe me të cilat 180 mijë familje shqiptare e paguajnë energjinë tre here më shtrenjtë se sa vetë kryeministri dhe ministrat e tij.
Ju nuk duhet ti falni Edi Ramës mashtrimin për heqjen TVSH-së për energjinë elektrike dhe cinizmin ndaj jush me të cilin po rrit me rreth 70 % çmimin e energjisë për ju!”, shkruan Berisha ne Facebook. /albeu