Teuta Arifi: Për 100 ditë ndryshuam imazhin e Tetovës

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në një konferencë për shtyp, sot ka informuar për të arriturat e Komunës nën drejtimin e saj, në 100 ditëshin e parë të qeverisjes.

“Ne trashëguam një komunë kaotike me borxh të përgjithshëm prej 8 milion euro prandaj bëmë revizionin e punës së komunës dhe zhbëmë disa nga kontratat që ishin të lidhura në dëm të buxhetit të komunës dhe tatimpaguesve tetovarë. Procesi i revizionit të punës së komunës nuk ka përfunduar ende dhe pasi që të përfundojë me lëndët që kanë elemente të veprave penale do të merren organet e drejtësisë”, theksoi ajo

Kryetarja e Komunës së Tetovës shtoi se janë vënë bazat e punës transparente dhe të përgjegjshme të organeve të komunës dhe administratës komunale, ndërsa është në përfundim procesi riorganizimit të administratës komunale me qëllim që ajo të jetë më efektive dhe ti shërbejë në mënyrë profesionale qytetarëve të Tetovës. 

“Të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të infrastrukturës rrugore gjatë njëqind ditëve që kaluan janë arnuar prej 60-65% të gropave të rrugëve në qytetin e Tetovës, janë riparuar rrethnjëqind e pesëdhjetë  puseta të kanalizimit,është sanuar rruga lokale prej rrugës rajonale Tetovë-Kodra e Diellit deri në fshatin Shipkovicë dhe është ndërtuar me pllaka begatoni rruga e nxënësve prej shkollës deri në qendër të fshatit Brodec me gjatësi 300 metra dhe gjerësi 4 metra”, tha Arifi duke folur për disa nga ndërmarrjet infrastrukturore në 100 ditëshin e qeverisjes së saj.

Teuta  Arifi theksoi se tanimë kanë filluar punimet për ndërtimin dhe rikonstruimin e bulevardit Iliria ndërsa me dinamikën e njëjtë të përmirësimit të rrjetit rrugor të qytetit do të vazhdohet gjatë katër viteve të ardhshme.

“NPK e cila ishte në prag të falimentimit gjatë njëqind ditëve të kaluara  arriti të shlyejë rrogat e të punësuarve për  muajt Janar, Shkurt,Mars, Prill dhe Maj si dhe borxhet e vjetra në vlerë prej 6. 800 000 denarë . Kjo ndërmarrje investoi 4.000 000 denarë në maqinerinë e saj dhe ndërpreu dy kontrata me vlerë prej 5 mijë euro në muaj për shërbimet e dy kamionëve me qira që ishin kontraktuar të kryejnë shërbimet të cilat duhet ti kryejë  dhe sot I kryen NPK Tetova.”; tha kryetarja Arifi.

 Ajo informoi se Gjatë njëqind ditëve që kaluan është arritur që të mbahet në gjendje të rregullt sistemi i eujësjellsit, është  meremetuar me zhavor rruga për në deponinë rajonale Rusino dhe është rikthyer projekti i humbur i KFW BANK , projekt ky i cili do të implementohet prej shtatorit të këtij viti.

“Të vetëdijshëm për eksistimin e potencialit të madh kulturor në Tetovë dhe mungesën e përkrahjes institucionale për zhvillimin kulturor të qytetit këtë vit komuna e Tetovës organizoi Verën e kulturës tetovare “ Dhjetë netë ndryshe” ku institucione, shoqata artistësh dhe talent të rinj tetovar dhjetë net me radhë ofruan falas krijimtarinë e tyre publikut tetovar.”, tha ndër të tjera kryetarja e Komunës së Tetovës, duke shpalosur të arriturat e  komunës që drejton në 100 ditëshin e qeverisjes me të.

Lajme të ngjashme

Back to top button