Farsa shovinisto-futbollistike në qendër të Beogradit
Si në ndonjë film me regji të dobët, pas përgatitjeve disaditore të mediave të cilat paralajmëronin armagedonin shqiptar ne Beograd, ku shtetasit e një shteti dikur fqinj haptazi kanoseshin me burgim po që se edhe pak i afrohen kryeqytetit të Serbisë, në fund ngjau epilogu me dronin e lëshuar nga kulmi i kishës së Topciderit dhe flamurin e Shqipërisë së madhe i cili ndezi një flakë të re të shovinizmit në opinionin serb.
Ngjarja “spontane” me fajtor pak si tepër të dukshëm, histeria e gjithmbarshme e cila pasoi më pas, mesazhet pak e më pak delikate si dhe kanosjet e frontit anti-evropian në Serbi, e vështirësuan përgjigjen në pyetjen themelore të secilit krim-filmi me logjikë konsistente: kush kishte motiv dhe dobi nga gjithë ajo që ndodhi ditëve të fundit në Beograd dhe që sipas të gjitha gjasave do të vazhdoj edhe ditëve në vijim? Dhe përderisa pyetja për motivin dhe përfituesit mbetet ende pa përgjigje, prej tani më është e qartë se humbësi më i madh i kësaj farse të inskenuar keq do të jetë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq rreth cilit dukshëm shtrëngohet rrethi i strukturave të padëgjueshme të sigurisë të cilat mbi vete morën rolin e interpretuesve dhe mbrojtësve të interesave nacional të Serbisë të definuar në mënyrë kriminele .
Skenografia e përgatitur me kujdes me ditë përpara në mediat serbe, më në fund mori kuptimin e saj të plotë. Ajo që nga organet zyrtare të Serbisë u hodh lehtë poshtë si një folklor normal tifozësh, por që nga vëzhguesit e kujdesshëm me të drejtë u pa si paralajmërim i një furtune të re nacionaliste, doli se ishte thjesht një përgatitje mediatike për ofensivën e përgjithshme të forcave anti-evropiane në Serbi. Kështu, mediat, sipas një skenari të parapërgatitur, si autorë të incidentit me dronin që mbante transparentin komprometues me “Shqipërinë e Madhe”, akuzuan vetëtimthi vëllain e kryeministrit shqiptar Olsi Ramën i cili ishte anëtar i delegacionit zyrtar të Shoqatës së Futbollit të Shqipërisë.
Duke shfrytëzuar heshtjen e turpshme dhe të pasqarueshme të organeve zyrtare të Serbisë, mediat publikuan informata të pasakta se është arrestuar vëllai i kryeministrit shqiptar në Beograd, pasi tek ai kinse ishte gjetur telekomanda me të cilën është drejtuar droni i cili, jashtë çdo logjike, është lansuar nga kulmi i kishës ortodokse e cila gjendet në afërsi të stadiumit ku është luajtur ndeshja e ndërprerë.
Që diçka nuk është në rregull me “provokimin e hapur shqiptar” u bë e qartë në çastin kur gazetarët e B92, të cilit janë të njohur për atë se edhe sot e kësaj dite, pas 5 viteve të plota nuk janë në gjendje të zbulojnë se cili është pronar i mediumit për të cilin punojnë, me një hetim të paparë deri më tani, vetëm për dhjetë minuta pas ndërprerjes së ndeshjes “zbuluan” se cilit janë personat që qëndrojnë pas transparentit që shkaktoi tërbimin në stadiumin e JNA-s. Që misteri të jetë ende më i madh, teksti i famshëm me titull “Ko su ljudi sa zastave” (Kush janë njerëzit e flamurit) u zhduk brenda natës nga faqja e B92 edhe pse ende shfaqet rregullisht nëse kërkoni me Google Search.
Ky tekst dukshëm i përgatitur prej përpara, si dhe tërbimi mendor i teoricienëve të njohur të konspiracionit që pasoi pas incidentit, tregonte për nevojën që policia serbe sa më parë të del në publik me version zyrtar të ngjarjes të mbështetur me dëshmi përkatëse. Policia serbe në atë rast do duheshe pa mëdyshje të tregojë prej ku erdhi fluturakja e famshme dhe kush e ka drejtuar atë. Nëse ajo është lëshuar prej stadiumi, si erdhi ajo aty dhe kush është përgjegjës për këtë? Vet fakti që në ndeshje ishte prezent edhe kryetari i Serbisë i cili shumë lehtë mund të ishte cak i sulmit me dron, tregon për lëshimet e organizatorit të ndeshjes dhe shërbimeve të sigurimit.
Ministria e punëve të brendshme (MPB) e Serbisë duhet gjithashtu tu përgjigjet informatave se tifozët e Crvena Zvezdës kanë përdorur një dron të ngjashëm gjatë ndeshjeve të ekipit të tyre. Njëkohësisht MPB e Serbisë duhet të largojë çdo dyshim lidhur me informatat e rrejshme për arrestimin e vëllait të kryeministrit të Shqipërisë dhe tregimet kinse ai personalisht ka drejtuar dronin i cili bartte transparentin e “Shqipërisë së madhe”.
Nga ana tjetër, anulimi eventual i vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd, që tani më haptas është propozuar nga disa “analistë” të shërbimeve, drejtpërdrejt do të varroste përpjekjet që i ndërmori personalisht Vuçiqi në bashkëpunim me Gjermaninë në drejtim të realizimit të projekteve konkrete si mënyrë më e mirë për përmirësimin e marrëdhënieve regjionale edhe atë në kushte kur mungon besimi i ndërsjellët dhe ka mosmarrëveshje në raportet ndërnacionale. Se nuk duhet të vijë deri te anulimi i vizitës tregon edhe reagimi jo i rastësishëm i ambasadorit gjerman në Beograd, Hajnc Vilhelm i cili, duke i dënuar incidentet në ndeshjen e ndërprerë, gjithashtu theksoi se duhet të vazhdohet pa pengesa me përgatitjet e vizitës së Edi Ramës.
Se qëllimi i incidentit ishte të anulohet vizita e paralajmëruar historike e kryeministrit shqiptar në Serbi, që do të paraqiste vërtetimin më te mirë se të dy vendet pa dyshim gjenden në rrugën e integrimit evropian, u bë e qartë edhe kur “analistët” anti-evropian, të cilit në mënyrë të rrejshme paraqiten si përkrahës të politikës së përgjithshme të Vuçiqit përfshirë këtu edhe aspektet proevropiane të saj, vetëm një natë pas incidentit, në televizionin publik kombëtar plasuan një histori të pakuptimtë për një konspiracion botëror për të anuluar vizitën, në thelb të panevojshme, të Vladimir Putinit në Beograd dhe të paradës ushtarake që duhet të mbahet me atë rast.
Kështu, në programin e mëngjesit të RTS, “analistët” kontrovers Dragomir Angjelkoviq dhe Branko Radun, të njohur për publikun e gjerë si përkrahës të flaktë të krahut pro-rus të SNS-s në pushtet, argumentuan se bëhet fjalë për një konspiracion të gjerë të vendeve perëndimore dhe Shqipërisë me qëllim që të pengohet vizita e Putinit në Serbi. Me atë rast ata pohuan se incidenti në ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri i inskenuar që “në mënyrë të drejtpërdrejtë tu dërgohet mesazh autoriteteve në Beograd për kaosin e mundshëm në qoftë se organizohet paradë ushtarake gjatë pranisë së presidentit rus Vladimir Putin dhe që kjo paraqet sulm ndaj Serbisë”. Ky përfundim ka ardhur si një vazhdim logjik i historive nxitëse të plasuara me javë, për gjoja përpjekjet e ambasadës së SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar për të mbledhur dhe organizuar opozitën anti-Vuçiq në Serbi me qëllim që ta rrëzojnë atë nga qeveria më vitin 2020. Ndërsa, pyetjes se pse do duhej qeveritë perëndimore të rrëzojnë qeverinë serbe më bashkëpunuese deri më tani që nga koha e Zoran Gjingjiqit, teoricienët e konspiracionit nuk kanë ofruar asnjë përgjigje kuptimplotë.
Gjithashtu është tepër shqetësuese që kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, i cili së shpejti duhet të takohet me homologun e tij shqiptar, ra nën ndikimin e histerisë së përhapur shoviniste në Beograd. Kështu, duke komentuar mbi incidentin për shkak të cilit u ndërpre ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, tha se autoritetet serbe tre orë para lojës kanë paralajmëruar liderët e BE-s, se “ekstremistët shqiptarë po përgatisin incident”. Kryeministri serb, megjithatë, nuk shpjegon se pse shërbimet serbe të sigurisë, në qoftë se ata me të vërtetë kanë pasur njohuri të tilla nuk e kanë penguar këtë incident dhe si është i mundur një diversion me përmasa të tilla të realizohet nga një grup “ekstremistësh” pa marrë parasysh se cilës etni i përkasin. Çfarë do të kishte ndodhur nëse për shembull, ky grup ekstremistësh të përdorte fluturaken për të kryer atentat ndaj presidentit të Serbisë, i cili gjatë ndeshjes ishte në lozhën solemne?
Që Vuçiqi nuk e ka shumë të qarte situatën, e tregoi edhe në vazhdim me deklaratat e tij, duke pretenduar se autorët e incidentit kanë kërkuar të “shkelin mbi krenarinë tonë, por ne shpëtuam fytyrën dhe një bande zyrtarësh të rremë shqiptarë të cilit ishin në lozhën solemne ua treguam qartë dallimin mes nesh dhe atyre.” Por kryeministri i Serbisë, megjithatë, me këtë rast nuk ka shpjeguar se si mund të ndodhë që një grup “zyrtarësh të rremë” të futen në lozhën solemne të siguruar mirë? Çfarë do të ndodhte nëse, për shembull, ata të ishin një grup terrorist që do të mund të rrezikonin zyrtarët e tjerë të pranishëm, lojtarët apo spektatorët? Nëse nuk ka përgjigje në këto pyetje të cilat në ditët në vijim me siguri do t’i parashtrohen nga partnerët evropianë, Vuçiq duhet ato t’i kërkojë nga shërbimet e tij të sigurisë te të cilët, dukshëm, duhet pak e më pak të ketë besim.
Ajo që është ende më e rëndësishme në këto lëshime të lartpërmendura të Vuçiqit është fakti se në këtë grup të “zyrtarëve të rremë” ishte edhe vëllai i homologut të tij shqiptar, i cili brenda natës u shndërrua në viktimë të matricës së njëjtë që para vetëm dy javë e gjysmë u zbatua ndaj vëllait të tij Andreja. Prandaj, kryeministri serb në asnjë moment nuk duhet të harrojë se të vetmit që mund të përfitojnë nga histeria aktuale dhe nga anulimi eventual i vizitës së kryeministrit të Shqipërisë në Serbi, janë po ato forca anti-evropiane në Serbi të cilët punojnë mbi kokën e tij dhe të cilët duke thirrur në grusht-shtet, kërcënime dhe shantazhe nga po ai Vuçiq kërkojnë të heq dorë nga rruga evropiane e Serbisë.
Duke e parë kryeministrin e tanishëm i cili është ulur në dy karrige, midis Moskës dhe Brukselit, fuqitë e politikës së nëntokës tentojnë t’ia ndryshojnë drejtimin evropian politikës së tij, duke e paraqitur këtë akt si një përpjekje për Serbinë në këto kohë të turbullta dhe të pasigurta të mbështetet në krahët e rehatshme të Rusisë së Putinit. Vuçiq, megjithatë, duhet ta kishte ditur se për tu shmangur nga ndonjëra nga dy karriget ekzistuese në këtë moment do të thotë rënie e njëkohshme nga të dyja. I vetëdijshëm për këtë apo jo, Vuçiq do të duhet të dijë se çdo gjë që ka ndodhur në stadiumin e JNA-së, si dhe uvertura mediatike që zgjati ditë më parë, si dhe pasojat që po përmenden tani, paraqet një sulm të fshehtë ndaj tij dhe politikës së tij të përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve në rajon, si pjesë përbërëse dhe e pashmangshme e rrugës evropiane të Serbisë.
Edhe pse autoritetet shtetërore serbe ende nuk kanë dalë publikisht me të vërtetën zyrtare të bazuar në dëshmi, pas gjithë asaj që ndodhi ditë më parë si dhe histeria mediale që pasoi, e gjithë kjo shumë na përkujton atë që ndodhi në kafenenë e Pejës “Panda” në vjeshtë të vitit 1998. Është gjithashtu me vlerë në këtë rast të ri-kujtohet se ishte pikërisht Vuçiq një ndër të rrallët që guxuan në mënyrë të hapur të flasin në publik në lidhje me rastin në fjalë.
Autor: Marko Matiç
Burimi origjinal i tekstit: E-novine.com
Përktheu: Portalb