Site icon PORTALB

Lideri mes “engjëjve” dhe “djajve”, mëkati rëndon në përulësi gjithë shoqërinë

Ali Ahmeti dhe ministrat e BDI-së

Ali Ahmeti dhe ministrat e BDI-së

Kryetari i BDI-së, pasi mori në dorë “mëkatet” që ua rikujton çdo vit BE-ja me Raportin e progresit të Maqedonisë, deklaroi se as në BDI dhe as në VMRO-DPMNE nuk janë të gjithë engjëj dhe se ka funksionar të pandërgjegjshëm.

Modestia e Ahmetit që përkujton çdo vit mëkatet e atyre që nuk janë engjëj, për analistët politik, nuk e amniston liderin politik që është strumbullari i vetëm i votës së shqiptarëve.

Sipas tyre, ata që nuk janë engjëj mbi një dekadë  vetëm ndërojnë pozicionet, duke mbajtur në prapaskenë klane tenderokratësh dhe duke sjellë të gjitha ato anomali në fushat më të rëndësishme të jetës shoqërore, të cilët Ahmeti mundohet t’i arsyetojë me atë se gabimet jenë njerëzore dhe vepër e atyre që nuk janë engjëj edhe pas 13 viteve në pushtet.

Sinani: Të dallosh djajtë mes të engjëjve nuk kërkon shumë mund

Sipas publicistit Ismail Sinani, Partia e Ahmetit, si njëri nga subjektet me traditë më të gjatë në skenën politike, është dashur ta krijojë mekanizmin e filtrimit të “engjëjve”

Ismail Sinani thotë për Portalb se paraqitjet e tyre para publikut janë hedhje pluhur syve. Të thuash se gjoja e pranon se të gjithë nuk janë engjëj, nuk e amniston aspak një subjekt politik që pretendon se merret me politikë serioze.

“Fundja, detektimi i atyre që mund të cilësohen si djaj në mesin e engjëjve, nuk kërkon shumë mund, ngase vetvetiu ata apo ato dallohen. Partia e Ahmetit, si njëri nga subjektet me traditë më të gjatë në skenën politike, është dashur ta krijojë mekanizmin e filtrimit të engjëjve që në fillet e saj. Sepse ta ushtrosh pushtetin në ekzekutiv me figura të njëjta prej më shumë se një dekade, i bie që vetvetiu t’ia hapësh dyert djajve”, thotë Ismail Sinani.

Neziri: Ahmeti ka zgjedhur të shoqërohet me kuazi-politikanë tundrash

Analisti Xhelal Neziri, mendon se 13 vite në pushtet Ali Ahmeti vetëm se ka përforcuar rrathët me njerëz të papërgjegjshëm, duke i larguar të mirët

Duke iu referuar fjalës së urtë popullore “me kë rrish, ashtu bëhesh”, Neziri thotë për Portalb se Ahmeti në fillim të karrierës politike ka qenë më i mirë, por në 10-të vitet e fundit ai shoqërohet me tenderokratë, me njerëz që politikën e kuptojnë si mjet për përfitime materiale, si biznes dhe tregti me përcaktimet programore që u trumbetohen votuesve të saj.

“Populli thotë: nëse ri me dijetarin bëhesh i ditur, por nëse ri me hajnin vetëm hajn do bëhesh. Kështu që nuk pinë ujë më ato përralla që i shesin cerberët e politikës se lideri i mirë na qenka, ama ja që është rrethuar nga njerëz të këqij. 13 vite në krye të partisë Ahmeti vetëm se ka përforcuar rrathët me njerëz të papërgjegjshëm, duke i larguar të mirët. 13 vite ai ka zgjedhur të shoqërohet me kuazi-politikanë tundrash e jo me njerëz që mbajnë përgjegjësi për platformën partiake dhe premtimet parazgjedhore. Kështu që, nëse dëshiron të largojë njerëzit e papërgjegjshëm nga partia Ahmeti duhet të fillojë nga vetja”, thotë xhelal Neziri.

Exit mobile version