Site icon PORTALB

Ambasadorja e Egjiptit vizitoi BFI-në

Ambasadorja e Egjiptit gjate vizites ne BFI

Ambasadorja e Egjiptit gjate vizites ne BFI

Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Egjiptit dhe Maqedonisë, në vendin tonë po qëndron ambasadorja e Egjiptit me seli në Sofje, por që mbulon edhe Maqedoninë, Manal Jehia El Shinavi, e cila sot vizitoi Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni ku u prit nga Reisul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Me këtë rast, ambasadorja Shinavi foli për një bashkëpunim të ri dhe intensiv në mes të Maqedonisë, në veçanti të BFI-së me Republikën e Egjiptit e cila kaloi nëpër një etapë shumë të rëndë për egjiptasit dhe për rajonin arabik në përgjithësi.

Ambasadorja e Egjiptit i premtoi Reisul Ulemasë se do të bëjë çmos që ta shtojë kuotën e studentëve nga Maqedonia që e kishin si bursistë të Universitetit më famë botërore El As’har. “Të dhënat nga ky Universitet flasin se ju, si Institucion fetar, vazhdimisht keni shprehur interesim që të shkolloni te ne kuadro nga profilet të ndryshme dhe kjo na gëzon tej mase. Gjithsesi, duhet ta ruani këtë politikë të përgatitjes së kuadrove për nevojat e juaja, pasi që teologët i prodhoni vetë dhe në shkollën tuaj autoktone,” tha veç të tjerash ambasadorja egjiptase, zonja Manal El Shinavi.

Edhe Reisul Ulema nga ana e vet e falënderoi zonjën ambasadore për angazhimin e saj rreth rivënies së bashkëpunimit në mes të BFI-së dhe Republikës së Egjiptit. “Ne, si myslimanë të Maqedonisë, përjetë i jemi falënderues këtij shteti dhe, sidomos Universitetit El As’har, për lehtësimet administrative e financiare për shkollimin e kuadrit tonë. Kemi me dhjetëra nëpunës fetare që janë të angazhuar nëpër organet e BFI-së dhe me të gjithë ata jemi krenarë. Kuadri që vjen nga ky Universitet egjiptas tek ne gëzon respekt të veçantë”, është shprehur Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.

 

Exit mobile version