Zbardhen negociatat që mbyllën ndeshjen Serbi-Shqipëri

Tre protagonistët kryesorë të negociatave për rifillimin ose jo të ndeshjes së ndërprerë pas incidentit në fushën e lojës, tregojnë bisedat e zhvilluara me përfaqësuesit e Federatës Serbe të Futbollit, arbitrin kryesor të ndeshjes dhe vëzhguesin e UEFA-s. Pas njoftimit të spikerit serb të stadiumit se ndeshja do të rifillonte, arbitri dhe përfaqësuesi i UEFA-s kanë thirrur për të negociuar tre përfaqësues të palës shqiptare, Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kapitenin e Kombëtares, Lorik Cana dhe menaxherin e Kombëtares, Alban Bushi. Të tre këta protagonistë e kanë rrëfyer këtë histori për ‘Lapsi.al’. Fillimisht është pyetur presidenti i FSHF-së, Duka, i cili me ironi është përgjigjur: “Unë kam birin tim 15-vjeçar në tribunë dhe dua ta kthej të gjallë në shtëpi”, duke lënë kështu të kuptohet se as nuk kishte asnjë mundësi që loja të vazhdonte pas asaj që ndodhi në fushën e lojës me tifozët serbë. Nga ky moment tregon Alban Bushi, sekretari i Federatës Serbe vinte dhe lutej: “Është më mirë edhe për ju, edhe për ne të vazhdojë ndeshja, ndryshe do të dënohemi të dyja palët”. Erdhi një moment dhe situata u bë shumë kritike.

Pasi serbët propozuan që ndeshja të vazhdonte qoftë edhe pa tifozë. I deleguari i UEFA-s, një holandez, që delegacioni shqiptar e sheh nën ndikimin e trajnerit të Serbisë, Dik Advokat, u shpreh se loja mund të vazhdonte. Me këtë variant dukej sikur po pajtohej edhe arbitri. Serbët ushtronin presion se nuk donin t’i humbnin tri pikët në tavolinë. Shqiptarët trembeshin se incidentet mund të përsëriteshin dhe gjithashtu kishin shpresë ta fitonin ndeshjen në tavolinë pas asaj që ndodhi. Pra në lojë ishte çështja se kush do të sillte argumentet më të forta. Dhe cilat nga këto argumente do të zinin vend për komisionin disiplinor të UEFA-s. Kur arbitri dhe vëzhguesi i UEFA-s e shihnin të mundshme vazhdimin e ndeshjes, presidenti Duka e pyeti gjyqtarin: “Mirë unë, po ti nuk ke frikë për vete?” – Jo, u përgjigj ai. “Vetëm pas kësaj, – tregon Lorik Cana, – ne thamë se skuadra jonë është e paaftë psikologjikisht dhe e dëmtuar fizikisht për të vazhduar më tej”. Ky qe dhe momenti i kthesës. Gjyqtari e shënoi këtë pretendim dhe vendosi pezullimin. Por, a është i mjaftueshëm një argument i tillë për të marrë tri pikët e kësaj ndeshjeje, që do ta çonin Shqipërinë në vend të parë me 7 pikë? Kjo do të merret vesh në ditët e ardhshme. Sepse kjo mundësi komprometohet pak nga qëndrimet e gjyqtarit dhe vëzhguesit, që nuk e cilësuan situatën aq dramatike sa e panë të gjithë në tv.

Lajme të ngjashme

Back to top button