Site icon PORTALB

Hapen tërësisht portat e shkarkimit të Liqenit të Ohrit

Përkundër faktit që  situata hidrologjike nuk është e kënaqshme nga periudha me dhe pa të reshura, që tashmë vazhon një kohë të gjatë, ndikon edhe përgjithësisht në nivelin e Liqenit të Ohrit, që sillet në kuotat nën normale të lartësisë mbidetare, dhe janë hapur të gjitha portat e shkarkimit të Liqenit të Ohrit, mbase për nevoja të HC së Glloboçicës, që thithë sasi të pakontrolluara të ujit nga Liqeni i Ohrit, për nevoja energjetike, pa mbajtur llogari për sasinë e shkarkimit dhe nivelin e ujit në liqen.

Sipas matjeve të fundit, shikuar shkallëzimin e limnigrafit në Strugë,  niveli i Liqenit të Ohrit është diku në nivelin e shkallës minimale të kuotave  sipas Marrëveshjes bilaterale Maqedoni-Shqipëri, të nënshkruar më vitin 1960. Kjo Marrëveshje bilaterale parasheh kuotat maksimale dhe minimale të nivelit: minimalja 693.10 m dhe maksimalja, 693.75 m lartësi mbidetare.

Niveli i ujit në Liqenin e Ohrit dukshëm ka rënë kohëve të fundit dhe vazhdon të bie si rezultat i shkarkimeve të mëdha përmes portave të shkarkimit në lumin Drin që po ndodhë ditëve të fundit, mbase për nevoja imedijate  hidroenergjetike të hidrocentraleve Glloboçica, Shpile, nga ana e Maqedonis, si dhe ato nga ana e Shqipërisë: Fjerrza, Komani dhe Vau i Dejës.

Deri para disa  ditëve, punëtorët e ndërmarrjes së HC Glloboçicës, kishin hapur dy porta të shkarkimit, që është shkarkim i kontrolluar në  portat e shkarkimit, por nga dita e hënë e këndej, ata përsëri hapën tërësisht shtatë (7)  portat e shkarkimit. Aktualisht pra janë të hapura të gjitha  porta të shkarkimit, që sipas vlerësimeve të ekspertëve, shkarkojnë mbi 50 metra kub ujë për sekondë. (INA)

Exit mobile version