Site icon PORTALB

HABERE TË KËQIJA NGA EUROPA

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Nga këndvështrimi i optimistit ose pesimistit gota është ose gjysmë e mbushur ose gjysmë e zbrazur. Raporti i KE-së për progresin në Maqedoni shikohet nga të dy këndvështrimet. Përderisa pesimistët thonë se riparimi i këtij dështimi është i pashpresë, optimistët na bindin se nuk është keq për sa kohë vlen rekomandimi për vazhdimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

Gruevski përfiton edhe nga kjo gjendje. E formaton veten si hero që mbron me çdo çmim emrin dhe identitetin maqedonas.

Zyrtarët shqiptarë në qeveri shprehen optimistë, sepse druajnë nga ndërmendja e premtimit për rishikimin e pozicionit të tyre në qeveri, nëse nuk shënohet progres në procesin integrues të vendit drejt BE.

Europianët nuk nguten. Brenda pesëvjeçarit nuk ka zgjerim të BE. Në rajonin tonë gjithçka vjen me vonesë. Ballkanit i duhet kohë shtesë për t’i bërë pjesë të historisë politikanët e tanishëm, që e nxijnë të ardhmen e qytetarëve.

Diplomacitë e qendrave të vendosjes së fundi e kanë ndryshuar diskursin kundrejt zhvillimeve në Maqedoni, përkundër faktit se politikanët lokal e shpërqendrojnë vëmendjen kah Ukraina e Siria, thuajse problemet e brendshme shtetërore ndikohen nga situatat konfliktuale jashtë saj!

Kohë më parë, zyrtarja amerikane Viktoria Nulland, ndihmëse e Sekretarit Shtetëror për Europë e Euroazi, gjatë një forumi për Europën Qendrore dhe Lindore,  tha prerazi se liderët e rajonit natën flenë nën ombrellën e nenit pesë të NATO-s, kurse ditën promovojnë demokraci joliberale, promovojnë nacionalizëm, kufizojnë lirinë e medias dhe diabolizojnë shoqërinë qytetare. Sipas saj, në rajon, kemi dy lloj kanceresh: ngecjen e proceseve demokratike dhe korrupsionin. Ajo foli hapur edhe për mbrojtjen e funksionarëve të korruptuar nga gjykatat për shkak të lojërave të pista korruptive.

Diplomatët flasin më hapur, sepse ky diskurs nuk mund ta keqpërdoret nga politikanët lokal të rajonit, të cilëve po t’u përmendësh një sukses të vogël dhe 100 dështime të mëdha, ata me ndihmën e medieve të kontrolluara flasin vetëm për suksesin e vogël dhe heshtin dështimet e mëdha.

Me këtë gjuhë të hapur u formatua Raporti i fundit i KE për Maqedoninë. Më i pafavorshmi prej se vendi e ka marrë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Aty thuhen troç, pavarësisht s’i komentohen nga politikanët dhe mediet e dirigjuara, se në Maqedoni s’ka demokraci të konsoliduar, s’ka dialog politik, s’ka media të lira, s’ka gjyqësi të pavarur, s’ka raporte të mira ndëretnike, s’ka zbatim të duhur të Marrëveshjes së Ohrit, s’ka gatishmëri për zgjidhjen e problemit me emrin, s’ka ndarje të qartë parti e shtet, s’ka ndarje transparente të buxhetit nëpër komuna etj.

Deri tani, për shkak të problemit me emrin, nuk janë përmendur haptas problemet e brendshme të Maqedonisë, që e gërryejnë sistemin shtetëror dhe pa zgjidhjen e të cilëve, edhe sikur të zgjidhej çështja e emrit, nuk ka hapje negociatash për anëtarësim në BE.

Ky ndryshim diskursi i diplomacisë thotë shumë, veçanërisht kur dihet se diplomatët flasin me gjuhë të ftohtë dhe thonë shumë kur duket se nuk thonë asgjë, duke i përçuar mesazhet nëpërmjet leximit ndër rreshta ose me nëntekste. Ky është shkaku që fjalitë e hekurosura të tyre analizohen kujdesshëm për të nxjerrë mesazhin e qartë.

Pas Raporti nuk mund të shpresojmë dhe të presim se gjërat do të marrin kahen e dëshiruar, por mund të presim që boritë e pushtetit të na bindin se Amerika dhe Europa janë buzë shkatërrimit e Maqedonia biblike do të mbetet e përjetshme!

Këtij kori do t’i bashkëngjiten rencat e vjetër dhe të ri. Disa prej tyre dikur ishin nën petk politikanësh e sot nën petk analistësh. Ata kanë nisur të na thonë se në Raport ka diçka shpresëdhënëse. Tentojnë të akuzojnë dikë e të përligjin dikë tjetër për përmbajtjen e habereve të Perëndimit. Ose heqin paralele me të kaluarën, duke synuar të na bindin se “sot” është sikurse “dje”. Ata nuk do ta thonë se prej “dikur” deri më sot kanë kaluar vite që nuk kthehen më.

Derisa rencat vazhdojnë të na bindin se jemi të rrethuar me armiq të jashtëm e të brendshëm, e vërteta shkëlqimtare është se Maqedonia kaherë ka devijuar nga kursi reformator dhe udha europiane. Jo pak herë ka pasur tentime që anija jonë të orientohet drejt Lindjes. Një kurs shumë i rrezikshëm, për sa kohë shumica dërmuese e shqiptarëve kanë përcaktim properëndimor dhe të cilët e dinë se e keqja asnjëherë nuk u ka ardhur nga Perëndimi.

Shikuar nga ky këndvështrim duket që gota është bosh. Optimistët sërish mund të na japin shpresë dhe të na thonë se gota nuk është e thyer.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version