Ato janë aktivitete ditore, ndërsa unë si ministër jam përfaqësues i gjithë qytetarëve dhe nuk përjashtohet edhe ajo mundësi dhe nuk shoh arsye pse jo, u përgjigj ministri i mbrojtjes, Talat Xhaferi, në pyetjen e gazetarëve se a do t’i vizitojë përmendoret e UÇK-së në Sllupçan në gusht të këtij viti dhe në cilin format.
Në kërkesë të gazetarëve që të shpjegojë se ajo vizitë eventualisht a do të ishte zyrtare e ministrit apo do të jetë e ndonjë formati tjetër, Xhaferi shtoi se: Nëse ka ndonjë ministër zyrtar dhe jozyrtar, atëherë mund ta trajtoni si të doni.
Vitin e kaluar, ministri i atëhershëm i mbrojtjes, Fatmir Besimi, vuri lule në përmendoren e UÇK-së në Sllupçan. Kjo shkaktoi reagime, në të cilën u përfshi edhe qeveria, nga e cila u tha se vendimet për shënimin e ndonjë ngjarje me pjesëmarrje të delegacionit oficial të qeverisë i mban qeveria.
Qeveria më parë deklaroi se nuk ka ndonjë vendim zyrtar rreth asaj se çfarë ndodhi në Sllupçan e as që ka dërguar ndonjë delegacion qeveritar për këto ngjarje.
Nga ajo ngjarje, vitin e kaluar u distancuan Shtabi Gjeneral i Ushtrisë së Maqedoisë dhe partia në pushtet, VMRO-DPMNE. /Portalb