Një trup femëror në fazë progresive të dekompozimit të shtunën është gjetur në bregun veriperëndimor të ishullit grek Karpatos, për të cilin ekzistojnë dyshimet se bëhet fjalë për qytetaren e zhdukur të Maqedonisë, Denisa Markoska.
Trupi është dërguar në ishullin Rodos ku do të bëhet autopsia me qëllim që të përcaktohet koha e vdekjes ose informacione të tjera të cilat mund të çojnë drejt zbulimit të identitetit dhe shkakut për vdekjen e kësaj femreje.
“Etnos” shkruan se sipas indikacioneve të para, mund të bëhet fjalë për 23-vjeçaren Denisa Markoska e cila më 12 shtator u zhduk nga anija “Serenisima” në të cilën ka punuar. Anija atë ditë ka lundruar midis Karpatosit dhe Rodosit, ndërsa destinacioni përfundimtar i saj ka qenë Agios Nikolaos.
“Hetimi i cili bëhej për zhdukjen e Markoskës nuk dha kurrfarë rezultatesh por tani autoritetet janë duke i lidhur dy rastet, shkruan “Etnos” dhe shton se për gjithçka janë njoftuar ambasada e Maqedonisë në Athinë dhe autoritetet e Maqedonisë.
Burime të MIA-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë konfirmuan se policia greke ka kërkuar përmes Ambasadës së Maqedonisë në Athinë organet kompetente të kyçen në identifikimin e trupit, gjegjësisht në analizat e ADN-së.