Merko dhe Labënishti , dy protagonist që pretendojnë degën e BDI-së në Strugë

Pas paralajmërimit për zgjedhje të brendshme në Bashkimin Demokratik për Integrim, tashmë janë krijuar strukturat organizative të këtij procesi ndërkohë që pritet të ketë një konkurencë teje të ashpër mes anëtarëve dhe përfaqësuesve të kësaj partienë Strugë.

Siç dihet edhe në opinion, tashmë në Strugë ekzistojnë dy blloqe kryesore konkurruese, dhe atë ai i deputetit Ramiz Merko dhe i zv.ministrit të mbrojtjes Arben Labënishti të cilat kanë preferencat e tyre të ndryshme për degën e Strugës.

Sipas burimeve të portali Drini.mk, beteja politike mes mbështetësve të Merkos dhe Labënishtit tashmë ka filluar. Mësohet se të dy fraksionet kanë filluar të realizojnë takime të ndara lidhur me procesin dhe mënyrën e konkurrimit në zgjedhje duke u përpjekur që secili të ofrojë sa më shumë anëtarë dhe simpatizantë rreth grupit të tij.

Konflikti politik mes Merkos dhe Labënishtit, lindi pas zgjedhjeve të fundit lokale, ku zv.ministri aktual i mbrojtjes Labënishti dhe mbështetësit e tij, akuzuan Merkon për tradhti në këtë proces. Përçarja mes tyre doli në sipërfaqe përsëri gjatë zgjedhjeve parlamentare, por nuk eskaloi falë autoritetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti i cili mori në dorë situatën duke biseduar personalisht me të dy palët.

Ekzistencën e ndarjeve, në mënyrë indirekte e konfirmoi edhe vetë koordinatori i zgjedhjeve për këtë zonë, Nevzat Bejta, i cili në takimin e fundit ku zgjodhi Këshillin organizativ të zgjedhjeve, apeloi për tejkalimin e grupeve dhe klaneve ekzistuese.

Duke u bazuar edhe tek emrat e anëtarëve të këshillit zgjedhor, mund të vërehet se në të ka prezentë nga të dy grupet, fakt ky që paralajmëron një luftë të vërtetë politike në këtë qytet.

Njohës të mirë të marrëdhënieve dhe zhvillimeve politike brenda BDI-së nuk përjashtojnë mundësinë që përveç Merkos dhe Labënishtit, kryesimin e degës së Strugës, ta marrë një person i tretë alternativ, i pranueshëm për të dyja palët.

Deri më tani përveç Merkos dhe Labënishtit, si pretendent të mundshëm për kreun e BDI-së në Strugë, përmenden edhe emrat e Bardhyl Tushit, Sejfulla Hanit, Armend Shaqirit dhe Nedim Ramizit.

Lajme të ngjashme

Back to top button