Shkupi edhe me ekip të futsallit (Foto)
Nga e mërkura familja sportive e futbollit Shkupi, do të ketë në gjirin e saj edhe skuadrën e futsallit, që do të mbajë emrin dhe emblemën e Shkupit, skuadër kjo që do të fillojë me gara nga Liga e Dytë, por duke synuar që në sezonin e ardhshëm të garojë në ligën e Parë. Është kjo skuadra “Suki – Impex 9”, që ka arritur të bije dakord me kryesinë e Shkupit për të marrë emrin e skuadrës së re dhe për të filluar garat së pari nga Liga e Dytë.
Në prezantimin zyrtarë të klubit ka marrë pjesë edhe kryetari i FC Shkupi, Ejup Ademi i cili ka bërë të qartë se familja e futbollit Shkupi, ka rrumbullakësuar idenë e formimit të të gjitha niveleve në kuadër të emblemës së Shkupit.
“Ky ka qenë edhe synimi i ynë sa i përket angazhimeve me Klubin Futbollistik Shkupi, pas angazhimit tonë në FC Shkupi, pastaj morëm dhe shkollën e futbollit, ne kemi përmbyll këtë angazhim me themelimin edhe të ekipit të futsallit, të cilët fillimisht do të garojnë në Ligën e Dytë, njëjtë si FC Shkupi. Gjithsesi synimet tona gjithmonë janë të larta, ne mendojmë se ekipi ka kualitet dhe do të arrijë që sezonin e ardhshëm të garojë në Ligën e Parë dhe të jetë në mesin e elitës së futbollit në fustall”, ka thënë kryetari Ejup Ademi.
Një ndër futbollistët që ka një përvojë të madhe në garat e futbollit në sallë, është edhe Skender Kovaçi, i cili është shprehur optimist për garat që e presin ekipin.
“Pa dyshim se ne si klub kërkojmë të futemi sa më shpejt në Ligën e Parë, kemi kualitet dhe ekip që vite me radhë luajmë bashkë, edhe pse kemi luajtur vetëm nëpër turne të ndryshëm, por deri më tani si ekipi “Suki-Impex -9” dhe besoj se do ta realizojmë planin tonë dhe të kryesisë”.
Një emër i njohur i futbollit në Maqedoni është Zoran Miserdovski, i cili më parë ka qenë pjesë e FC Shkupi, por si ish-Slloga Jugomagnat, ndërsa tani edhe ai është pjesë e këtij ekipi.
“Ka gati tri vite që luajë me këtë ekip, tani më jemi skuadër më e organizuar dhe me Zotin para shpresojmë të arrijmë sukses, pasi që sivjet e fillojmë nga Liga e Dytë, por besoj se shpejt do jemi në mesin e më të mirëve”, ka thënë Miserdovski.
Futsall ekipi Shkupi ndeshjet dhe përgatitjet do ti zhvillojë në sallën e shkollës së mesme “Zef Lush Marku”, sallë kjo që i plotëson të gjitha kushtet.
Skuadra e Shkupit përbëhet nga këta futbollist, portierët Berat Jakupi dhe Amir Marevci, si dhe futbollistët Arsim Fazlija, Agron Fazlija, Vedat Sadiki, Vedat Arsllan, Skender Kovaçi, Bashkim Kovaçi, Erhan Idrizi, Habib Krasniqi, Zoran Miserdovski dhe Hebib Bunjaku. Në skuadër si trajner në fillim do të punojë Mensur Fazlija, por ekipi është në bisedime me disa trajner për të përforcuar edhe këtë repart tejet të rëndësishëm. / Portalb /