“Kalliri i Mirësisë” ndihmon nxënësit e familjeve sociale

Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, në bashkëpunim me Komunën e Çairit dhe disa Komuna të tjera, realizoi projektin e shpërndarjes së çantave dhe mjeteve shkollore për fëmijë të kategorive të rrezikuara sociale.

Projekti përfshin 10 Komuna rurale dhe urbane dhe në të do të përfshihen mbi 2600 nxënës. Në Komunën Çair do të ndahen 600 çanta, 300 në shkolla, ndërsa 300 të tjera janë për jetimët të regjistruar pranë kësaj Organizate.

“Në këto kohëra të vështira, ku dominon papunësia, varfëria dhe problemet e ndryshme sociale, që fëmijët të cilët nuk kanë ndoshta përgjegjësi për një situatë të rëndë ekonomike, tua mundësojmë të fillojnë një fillim të mbarë në procesin e arsimit dhe në këtë mënyrë të shpresojmë që duke investuar në arsim ne edhe të shpresojmë që do të kemi breza të shëndoshë, të arsimuar dhe kualitativ, të cilët me punën e tyre do të ndryshojnë këtë realitet, me të cilin sot ballafaqohen brezat e kësaj dite”- deklaroi kryetari i Organizatës Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, Rufat Sherifi.

“Gjithmonë Komuna ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar, për t’i mbështetur dhe falënderojmë që vazhdimisht i kanë furnizuar shkollat tona jo vetëm me çanta dhe mjete mësimore, por edhe me projekte të tjera, donatorë, që të kemi nxënës më të mirë, sepse kur ke mjete mësimore, atëherë edhe nxënësit janë më të përgatitur për procesin edukativo–arsimor”- theksoi udhëheqësi i Arsimit në Komunë të Çairit, Nuhi Dardhishta.

“Në emër të nxënësve dhe kolegëve të mi e falënderoj Shoqatën “Kalliri i Mirësisë”, që edhe më tutje tu ndihmojnë atyre që kanë nevojë dhe ne e dimë që një numër shumë i madh i nxënësve tanë kanë nevojë”- tha drejtori i shkollës fillore “Ismail Qemajli”, Kadri Agushi.

Ky projekt realizohet çdo vit dhe sivjet vërehet shtim i donatorëve dhe Shoqatave nga vendi e jashtë, që e mbështesin atë.

Lajme të ngjashme

Back to top button