Ministri i financave, Zoran Stavrevski pas takimit me ekipin menaxhues të kompanisë indiane “Saharijan Makedonija” , të drejtuar nga Subrata Roy, ka deklaruar se është konfirmuar edhe njëherë aftësia dhe gatishmëria e kësaj kompanie për të ndërtuar kompleksin turistik, me të gjithë segmentet e tij, në Lubanishtë të Ohrit.
Ai ka shtuar se në bisedë me përfaqësuesit e kësaj kompanie janë zgjidhur disa nga dilemat rreth realizimit të këtij projekti dhe pritet që ai të fillojë në gjysmën e vitit që vjen.
“U konstatua se projekti do të realizohet në përputhje me projeksionin e parë. Arkitektët konstatuan se nuk ka nevojë për tokë shtesë për realizimin e tij”, theksoi Stavrevski, duke bërë të ditur se është refuzuar kërkesa e kompanisë indiane për tokë shtesë, që do të përdorej për akomodimin e punëtorëve , të cilët do të punojnë për realizimin këtij projekti.
Stavrevski tha se ende nuk është kontaktuar Kisha Ortodokse Maqedonase, e cila është pronare e pjesës dërmuese të pronës ku pritet të ndërtohet kompleksi, por kjo do të bëhet së shpejti dhe kjo çështje dhe të tjerat, sipas tij, do të zgjidhen në përputhje me Ligjin.