Çellopek , nxënësit mësojnë si në kushte të mesjetës

Ndërkohë në kushte të mjerueshme, në një barakë thuajse të rrënuar mësimin po e ndjekin edhe 100 nxënësit e Çellopekut të komunës së Bogovinës. Objekti i ri shkollor ka nisur të ndërtohet qysh para katër viteve por ende qëndron në fazën karabina. Për ngecjen e punimeve komuna fajësojnë ministrinë e arsimit. 

Mbi 100 nxënës të  shkollës fillore “7Marsi” të fshatit Çellopek të komunës së Brvenicës, vazhdojnë të mësojnë në barakë prej druri, me dritare të vjetra, dërrasa të hapura dhe kulm që pikon ujë sa herë që bie shi. Në mëngjes, nuk hyhet brenda nga era e keqe që kundërmon thotë Shemsie Ajdari, mësuese e kësaj shkolle.
 
“Ne kemi kushte mjaft të këqija, ujë nuk kemi ky objekt krejt kundërmon, në mëngjes kur vijmë kundërmon erë e mykur, kemi frikë për shëndetin e nxënësve. Kushte nuk kemi, mjete edhe ashtu nuk kemi, gjithçka që sigurojmë vet ne arsimtarë. Ne edhe herën tjetër e kemi përmendur, vjen dimri, nuk i dihet ky objekt është mjaft i vjetër i ka kaluar afati që moti, nuk e di nuk jemi të sigurt”, tha Shemsie Ajdari, mësuese.
 
“Objekti i vjetër i shkollës fillore të fshatit Çellopek, nuk është problemi i vetëm dhe kanosje e vetme për këta mbi 100 nxënës që mësojnë këtu. Një bombë tjetër ekologjike fshihet vetëm përballë kësaj shkolle dhe ndodhet në bodrumin e objektit të ri të shkollës”.
 
Drejtori i Shkollës fillore “7Marsi” të fshatit Çellopek, Ajdin Abdullahu sot ishte i zënë ti përgjigjet interesimit të Alsat për gjendjen e shkollës ndërsa kreu i komunës, Enver Pajaziti, për gjendjen e mjerueshme të objektit ku mësojnë nxënësit dhe lënien në gjysmë të objektit të ri të shkollës, ka fajësuar ministrinë  e arsimit.
 
“Ne kemi pasur shpresa, na u premtua vitin e kaluar se këtë vit qind për qind shkolla e Çellopekut do gjej vend në buxhetin e vitit 2014, por ja që ndodh jo që shkolla por në buxhetin e investimeve nëpër shkolla komuna e Brvenicës pesë vite me radhë nuk figuron askund, pra një herë nuk është ndarë nga ministria dhe institucionet tjera”, u shpreh Enver Pajaziti, Kryetar i Komunës së Brvenicës.
 
Ndryshe, ndërtimi i shkollës së re të fshatit Çellopek, ka filluar që në vitin 2010, dhe që atëherë, përveç premtimeve nuk është ndërmarrë asgjë për përfundimin e këtij objekti shkollor. /Alsat-TV

Lajme të ngjashme

Back to top button