Shabani dhe Luma përforcojnë Shkupin
Dje ishte dita e fundit e transferimeve të futbollistëve në mbarë Evropën, kështu ka qenë edhe në vendin tonë, ndërsa këtë e ka shfrytëzuar edhe FC Shkupi, skuadër kjo e cila ka arritur të bëjë për vete dy futbollistë të rinj, që do të jenë pjesë e çairasve për një vit, me mundësi për të vazhduar bashkëpunimin.
Janë Bunjamin Shabani dhe Afrim Luma futbollistë mesfushor, që do të mbajnë veshur fanellën e Shkupit, e që prezantimi i tyre është bërë dje nga vet kryetari i klubit Ejup Ademi.
“Ne vazhdojmë të jemi të interesuar në futbollistë të rinj. Kështu kemi gërshetuar edhe më herët shkathësinë e futbollistëve me përvojë dhe forcën e atyre që janë të rinj. Shpresoj se me këto dy përforcime kemi arritur të kënaqim kërkesat e trajnerit tonë Zekerija Ramadani dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt kthimit të klubit në Ligën e Parë”m ka thënë Ademi.
Shabani 21 vjeçar karrierën e tij si futbollist e kishte filluar në shkollën e futbollit Beshiktash të Shkupit, që më pas të kalojë në KF “Skopje”, Maxhari dhe së fundi ishte pjesë e skuadrës së Vrapçishtes, prej ku edhe u bë pjesë e Shkupit. Shabani gjithashtu ka mbajtur veshë edhe fanellën e reprezentacionit të Maqedinisë, për gjeneratat U-15 dhe U-17.
“Kam mësuar se kryetari Ademi dhe Shkupi kanë plane të mëdha dhe reale. Dëshirë e çdo futbollisti është të luajë në Ligë të Parë dhe pastaj pse jo të arrijë të gjejë ndonjë angazhim jashtë vendit, ndërsa këtë shpresoj ta arrijë me Shkupin”, tha Shabani.
Nga ana tjetër Afrim Luma është 20 vjeçar dhe vjen nga Tetova, ai karrierën e tij futbollistike e kishte filluar si 9 vjeçar në KF Vëllazërimi të Sllatinës, ndërsa talenti i tij u pa nga KF Renova ku ishte pjesë për vite të tëra. Luma ishte pjesë edhe FC Basel të Zvicrës, ku kaloi testimet por shkaku i dokumentacionit nuk vazhdoi me klubin. Gjithashtu mesfushori nga Tetova ishte pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë U-19.
“Jam i kënaqur që jam pjesë e FC Shkupit. Jam i lumtur që do luaj para tifozëve që ka kjo skuadër (SHVERCERAT). Falënderoj kryesinë që më dha mbështetje të plotë, besoj se do ta jap maksimumin për këtë skuadër që sezonin e ardhshëm të luajmë në Ligën e parë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, ka thënë Luma.
Skduadra e FC Shkupi këtë sezon ishte përforcuar me Goran Maznov, Dimitrija Llazarevski, Fatmir Arifi, të cilët u panë të jenë përforcime të qëlluara. Shkupi vazhdon të jetë liderë e tabelës së Ligës së dytë, ndërsa sezonin e ka filluar mbarë, nga pesë ndeshje ka po aq fitore. /Portalb/