Site icon PORTALB

Ja si u vodh thesari në Bankën e Shqipërisë (Video)

Për herë të parë transmetohen pamje të vjedhjes së parave nga thesari i shtetit në Bankën e Shqipërisë, të siguruara ekskluzivisht nga televizioni A1 REPORT.

Në sekuencat ekskluzive të A1 REPORT të shkëputura nga kamerat e sigurisë shfaqet Ardian Bitraj, duke vjedhur paratë në kasafortën e arkës stok (ku ndodhen paratë që ende nuk janë hedhur në qarkullim).

Ish-përgjegjësi i arkës stok në thesarin e Shtetit Ardian Bitraj, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe që ka pranuar se e ka kryer i vetëm vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari për plot 4 vjet, duket në këto pamje teksa hap me 3 çelësat kasafortën ku ndodhen lekët. Në fakt, çelësat e kasafortës ku ruhet thesari mbahen nga persona të ndryshëm, por Bitraj shfaqet në këto pamje ekskluzive teksa hap i vetëm me të 3 çelësat kasafortën, ndërsa më herët ka futur edhe kodin për hapjen e saj.


(Ne foto, Ardian Bitraj duke hapur me 3 celesa kasaforten ku ndodheshin parate)

Pasi ka marrë paratë në arkën stok nga kasaforta e thesarit të Bankës së Shqipërisë, Bitraj duket teksa del me një thes të zi në dorë brenda ambienteve të thesarit të shtetit në Linzë.


(Ne foto, Ardian Bitraj pasi ka vjedhur parate nga thesari, duke dale me thesin me leke)

Më tej, në një tjetër sekuencë, ish-përgjegjësi i arkës stok shfaqet në një tjetër ambient të thesarit të shtetit, ku dyshohet se pikërisht aty vendoste përkohësisht paratë e vjedhura dhe më tej i nxirrte jashtë thesarit duke i fshehur në trup.


(Fotosekuenca ekskluzive të A1Report nga momentet e vjedhjes së Thesarit të BSH nga Bitraj)

Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë, dyshohet se fillimisht Bitraj ta ketë nisur vjedhjen e thesarit në kasafortën ku mbaheshin paratë që do të asgjësoheshin dhe më tej të ketë nisur vjedhjen e parave që s’janë hedhur ende në qarkullim. Këto para ndodhen pikërisht në kasafortën që A1 Report sjell përmes këtyre sekuencave.

Është një tjetër foto e shkëputur nga pamjet e kamerave të sigurisë, ku Bitraj shfaqet në oborrin e thesarit dhe krah tij ndodhet punonjësja tjetër e arrestuar për vjedhjen, Mimoza Bruzia. Dyshohet se poshtë këmishës Ardian Bitraj ka pikërisht paratë e vjedhura nga thesari.


(Në foto: Ne rreth te kuq Ardian Bitraj ne oborrin e thesarit te BSH dhe krah tij me shigjete te kuqe, Mimoza Bruzia)

Për vjedhjen e thesarit në Bankën e Shqipërisë janë nën hetim 17 persona të cilët dyshohet se janë të implikuar, ndërsa hetimet për të zbardhur plotësisht mega-skandalin në institucionin më të lartë financiar në vend, vijojnë./ Shqiptarja

Exit mobile version