Site icon PORTALB

Shkolla e Lubetenit po kalbet, MASH nuk çan kokën (FOTO)

Nxënësit e Lubetenit edhe këtë vit shkollor do ta fillojnë në shkollën e tyre “Liman Kaba”, me mungese te hapësirës dhe me probleme të shumta brenda objektit.

Edhe pse drejtori i kësaj shkolle, Xhezmi Abdyrrahmani thotë se gjitha masat janë marrë për parandalimin e shpërndarjes së verdhëzës, serish frikësohet për shkak se ky objekt ka mungesë të hapësirave.

“Deri para disa muajve tualetin e kishim në oborr te shkollës, të cilin na e mbylli Inspektorati shëndetësor, dhe kërkuam nga komuna zgjidhje. Tani i rregulluan brenda por hapësira për nxënësit ngelet shumë e vogël”, tha për Portalb, Abdyrrahmani.

Ai shtoi se mundohen ta mbajnë pastërtinë me aq sa kanë mundësi.

“Ne kujdesemi për pastërtinë dhe higjienën e shkollës dhe nxënësve dhe shpresojmë që nuk do të përhapet tek ne sëmundja e verdhëzës. E kemi dezinfektuar objektin me mundësit tona që i kemi dhe shpresoj që të shkojë gjithçka mirë. Por është shkollë e vjetër, është ndërtuar disa herë, është shndërruar në një objekt shkollor me pesë hyrje sepse është ndërtuar nga nj klasë nga një klasë”, tha Abdyrrahmani.

Shkolla “Liman Kaba” në Lubeten

Sa i përket investimit, ai thotë se përveç tualetit, komuna e Butelit në të cilën bie kjo shkollë, nuk ka dhënë të holla dhe nuk ka investuar në përmirësimin e kushteve. Gjithashtu kam kërkuar takim me ministrin e ri shqiptar Abdylaqim Ademin, por më ka thënë se momentalisht është i zënë dhe se së shpejti do të më kontaktojë për të caktuar takim, vazhdon më tej Abdyrrahmani.

“Ne projektin për mbindërtimin e objektit shkollor e kemi të gatshëm, i kërkuam ministrit takim po për momentin ishte i zënë dhe na tha se do të na kontaktojë. Duhet të vizitohet kjo shkollë e të shihet se ka nevojë për investim, dyshemeja është e vjetër, ka shumë punë për tu bërë”, shtoi Abdyrrahmani.

Shkolla “Liman Kaba” në Lubeten

Nga ana tjetër prindërit frikësohen për shëndetin e fëmijëve të tyre.

“Gjysmën e ditës e kalojnë në shkollë dhe frikësohemi mos marrin ndonjë sëmundje ngjitëse sidomos tani që u shpall epidemia e verdhëzës. E dimë që punohet për mbajtjen e pastërtisë, por sa është e mundur kjo, si dhe stërrngarkimi i paraleleve që është prezent në këtë shkollë ndikon keq në mësimdhënie”, tha R.Sh. prind.

Shkolla “Liman Kaba” në Lubeten

Ndërkaq drejtoria e kësaj shkollë edhe më herët kishte kërkuar nga ish zëvendës ministri i arsimit, Safet Neziri që të investohet, por kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

 

Shkolla “Liman Kaba” në Lubeten
Exit mobile version