Site icon PORTALB

Kaluan 60 ditë, “Monstra” ende pa aktvendim

Rasti "Monstra"

Gjatë seancës, të akuzuarit e rastit Monstra

Familjarët e të akuzuarve për rastin “Monstra”  ankohen dhe fajësojnë gjyësorin i cili sipas tyre, përveç që akuzoi pa bazë familjarët e tyre, ende nuk shpall aktvendimin që të fillojë procedura e ankesës.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestave, njëherit edhe familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari thotë për Portalb që kjo që po iu bëhet familjarëve të tij është e pa logjikshme dhe jo e drejtë.

“I akuzuan pa asnjë dëshmi edhe atë me burg të përjetshëm kurse tani vonojnë aktvendimin që mos të bëhet ankesa. Kjo është e turpshme, ky është një trillim i mirëfilltë, familjarët tanë janë të pafajshëm”, tha për Portalb, Ajdari.

Avokati mbrojtës Naser Raufi thotë se në afat prej 60 ditësh duhet të dorëzohet aktvendimi që të vazhdojmë ne me procedurat tjera.

“Aktvendimi përfundimtar për rastin ‘Mostra’ nuk është dorëzuar ende zyrtarisht. Dorëzimi sipas procedurës, bëhet brenda 60 ditëve nga shpallja e tij nga Gjykata. Kjo ka bërë që pala mbrojtëse të mos ngrejë procedurën e apelimit të verdiktit, në shkallën e dytë”, tha Raufi.

Aktvendimi sipas procedurës pritet të dorëzohet tani, pasi që verdikti nga Gjykata Themelore u mor më 30 qershor, duke lënë në burg të përjetshëm 6 prej të ndaluarve, dy prej të cilëve në burg për vepër tjetër në Kosovë, ndërsa liroi nga akuza Sejdi Ramiun.

Pse gjykata zvarrit punën? Pyesin familjarët.

Kushtet në të cilat familjarët tonë vazhdojnë paraburgimin janë të mjerueshme, dhe shkelin të drejtat e njeriut, thekson Ajdari, duke u ankuar se disa herë kanë kërkuar që ata të transferohen në Shkup, por që kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh.

Familjarët shpresojnë që peticioni do të jetë më i suksesshëm sesa protestat dhe thonë se drejtësia dhe e vërteta gjithmonë dalin në shesh.  /Portalb

 

 

Exit mobile version