Site icon PORTALB

Ostreni konfirmon pjesëmarrjen e xhandarmërisë serbe në luftën e 2001-shit

Shefi i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Gëzim Ostreni thotë se mediat në Beograd kanë të drejtë me kërkesën drejtuar autoritetet serbe të asaj kohe që të kërkojnë falje për pjesëmarrjen e njësive serbe në konfliktin e vitit 2001.

Ai edhe në librin e tij të fundit shkruan se shumë serbë në vitin 2001 janë angazhuar në veprimet ushtarake në anën maqedonase.

“Të dhënat tona, të Shtabit të Përgjithshëm në atë kohë  ne i kemi trajtua si paramilitarë të cilët kanë ardhur për tu ndihmua forcave të armatosura edhe policisë  në Maqedoni kundër njësiteve të UÇK-së, ose thënë më drejtë për zhdukjen e UÇK-së. Ata janë paraqit në garnizon, kanë kërkuar të jenë në kuadër të një garnizoni, të një kazerme dhe prej aty të kyçen në radhët, ata nuk i kanë pranua, komandanti i kazermës i ka refuzu edhe prej aty janë kyç në pjesën  e policisë, në rajonin e fshatrave të Tetovës që kanë veprua. Këta kanë arrdhë në emër të  nevojës për luftë kundër shqiptarëve. Bile kanë përdorur edhe do terma që unë nuk kisha dashtë ti përdor tani”, deklaroi  Gëzim Ostreni ish-shef i shtabit të UÇK-së.

Analisti ushtarako-politik Bllagoja Markovski, i cili në atë kohë ishte zëdhënës i Armatës së Republikës së Maqedonisë, nuk mohon se ka pasur individë të cilët janë përpjekur të angazhohen në veprime ushtarake, por për të, spekulimet më të thjeshta dhe përpjekja për sensacion që është ngritur nga shtypi serb janë informacionet se ata kanë qenë pjesë e ushtrisë apo policisë maqedonase.

“Në Republikën e Maqedonisë në vitin 2001 në ballafaqimin me krizën ekskluzivisht morën pjesë pjesëtarë të ARM-së dhe të Ministrisë së Brendshme, apo policisë. Ka mundësi, individë nga Serbia të jenë infiltruar ose përfshirë në mënyrë të pavarur, por ata kurrë nuk ishin të angazhuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë e as që ishte kërkuar ndihmë që ata të angazhohen në zgjidhjen e krizës”, deklaroi  Blagoja Markovski Ish zëdhënës i ARM-së.

Alsat M bisedoi edhe me ish-kreun e policisë sekrete, Goran Mitevski. Njeriu që udhëhoqi Drejtorinë maqedonase për Siguri dhe Kundërzbulim konsideron se pretendimet e shtypit të Beogradit janë të mjegullta dhe se asnjë formacion i policisë serbe nuk ka marrë pjesë në asnjë mënyrë në konfliktin në vitin 2001.

Historia e pjesëmarrjes së forcave të policisë serbe në veprimet ushtarake në vitin 2001 e nxiti kërkimi i  faljes së ish-presidentin Boris Tadiç, drejtuar popullit maqedonas për krimet që i ka kryer xhandarmëria serbe. Përkundër interpretimeve se ai kërkon falje për periudhën para Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës së hegjemonisë serbe në territorin e saj, media elektronike me ndikim në Beograd “e-novine ” vlerësoi se Tadiq kërkoi falje për pjesëmarrjen e njësive serbe në luftën në Maqedoni./ Alsat-M

Exit mobile version