Site icon PORTALB

Ndryshimet kushtetuese përplasin BDI-në dhe PDSH-në

BDI-PDSH

BDI-PDSH

PDSH u shpreh sërish kundër ndryshimeve të Kushtetutës, nën pretekstin se ato nuk përfshijnë çështjet që prekin interesin e shqiptarëve, sikurse përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, ndarja proporcionale e buxhetit apo përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve.

“Për ne është krejt e parëndësishme se do të quhet Banka Qendrore, Popullore, Shtetërore apo sidoqoftë, kur kihet parasysh se në këtë Bankë që paraqet një nga institucionet kryesore financiare të shtetit, shqiptarët nuk kanë fare qasje. Sa është përqindja e shqiptarëve të punësuar në Bankën Popullore, sa është përqindja e shqiptarëve në poste udhëheqëse? Zero. Përqindja e të punësuarve është 1-2 për qind. Është skandaloze që ne të flasim për emërtimin e kësaj Banke kur nuk hapim tema reale. Apo janë pak, apo aspak të rëndësishme dispozitat që kanë të bëjnë kinse me reformat në gjyqësor, kur kihet parasysh se gjykatat e këtij shteti akoma merren me raste të montuara politike”, deklaroi Imer Aliu, PDSH.

Ndërkohë, nga BDI-ja theksojnë se ndryshimet në fjalë janë në interes të të gjithë qytetarëve dhe si të tilla do të mbështeten në votim.

“Ne mbajmë qëndrimin edhe më tutje se ka nevojë që të hapet debat edhe për ndryshime të reja në Kushtetutën e RM-së, ndryshime të reja që kanë të bëjnë edhe me marrëdhëniet ndëretnike, pasi që jemi të vetëdijshëm se ka nevojë që të precizohen disa amendamente të Kushtetutës, por ajo ngel që bashkë me partnerët e koalicionit por edhe me partitë tjera t’i harmonizojmë qëndrimet që të hapen edhe ato debate. Ne do t’i përkrahim këto propozim-ndryshime pasi që vlerësojmë se janë në interes i të gjithë qytetarëve”, tha Rafiz Haliti, BDI.

Të mërkurën projekt/amendamentet rreth ndryshimeve kushtetuese do të jenë në seancë plenare dhe më pas do të vihen në debat publik për 30 ditë. Pas kësaj ato do të kalojnë filtrin e dytë në qeveri dhe kuvend, që pritet të përfundojë në fund të tetorit./ Alsat- M

Exit mobile version