BFI përgjegjëse për mos kontrollimin e dy xhamive

Mos kontrollimi i dy xhamive, Tutunsët dhe Jahja Pasha nga Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, tregon pikë së pari administrimin e dobët dhe mos efikasitet në kryerjen e detyrave të saj, vlerësojnë analistët e pyetur për Portalb.

Opinionisti në Portalb, Ramadan Ramadani, duke vënë theksin mbi kalbjen e autoritetit brenda BFI-së, më konkretisht shprehet:

“Sipas krejt asaj që u zbardh në opinion nga kjo çështje është e qartë se kjo është një problem administrativ brenda BFI-së në relacionin e tyre me dikë në administratën e këtyre xhamive. Mendoj se kjo është pasojë e pritshme prej krejt asaj kalbjes së autoritetit të BFI-së nga skandalet e mëdha të vazhdueshme që plasin dhe mbeten të pasqaruara siç ishte rasti edhe i fundit me haraçin që merr BFI nga vet besimtarët e vet haxhinj e të cilët do duhej t’i përfaqësonte dhe t’ua lehtësonte këtë udhëtim. Ashtu për këto çështje administrative të brendshme përgjegjësia bie mbi BFI dhe institucionet tjera nuk kanë kompetenca të ndërhyjnë.”

Nuhiju: Ekstremizmi i çdo lloj forme ka nevojë që të denoncohet e jo të luhet roli i gjykatësit

Për analistin nga kumanova, Hamdi Nuhiju, BFI-ja duhet të ketë rol proaktiv dhe jo aktiv. Ai për Portalb shkruan:

“Institucioni i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, është institucion i unitetit dhe vëllazërisë midis të gjithë myslimanëve të këtij vendi. Ai përfaqëson myslimanët e Maqedonisë brenda dhe jashtë vendit. Për çdo individ mysliman në këtë shtet, ky institucion ka një rëndësi të veçantë, përderisa mbron të drejtat dhe interesat e myslimanëve të këtij vendi. Problemi i Burmali Xhamisë, problemi i denacionalizimit të pronave të Bashkësisë Islame, problemi i të drejtave të myslimanëve të Maqedonisë që thyhen për çdo ditë, problemi i xhamisë së Tabanocit, si dhe rregullimi i jetës fetare të myslimanëve të Maqedonisë janë ingerenca dhe përgjegjësi e këtij institucioni. Ky institucion ka rol proaktiv në mbrojtjen e myslimanëve dhe jo rol aktiv në përjashtimin e myslimanëve prej shoqërisë si dhe linçimin e tyre në forma dhe mënyra të ndryshme. Ekstremizmi dhe terrorizmi i çdo lloj forme dhe i kujtdo qoftë ka nevojë që të denoncohet e jo të luhet roli i gjykatësit dhe ligjit mbi to. Përderisa të gjithë myslimanët e Maqedonisë përfshihen nën ombrellën e këtij institucioni, kanë nevojë që të ndjehen të sigurt prej sulmeve të jashtme dhe ligjeve të këtij vendi që vendosen me qëllim cënimin e lirive dhe të drejtave të myslimanëve të Maqedonisë.”

Gashi: Denoncimi është dashur të vijë më përpara

Analisti i Revistës Shenja, Afrim Gashi, për Portalb thekson se gjithë kjo “hedhje e topit” nga BFI në MPB e anasjelltas, më shumë flet për mosefikasitetin e tyre, sesa për zgjidhjen e problemit.

“Bashkësia Fetare Islame në R. e Maqedonisë është institucioni përgjegjës për organizimin e jetës fetare islame në vend, ndërsa një nga punët kryesore e ka edhe menaxhimin me xhamitë, duke emëruar hoxhallarët përgjegjës për secilën xhami në vend. Nëse BFI nuk arrin të shtrijë autoritetin e saj në ndonjë xhami atëherë një gjendje e tillë duhet të denoncohet në organet e rendit ndërsa këta të fundit të marrin masat e duhura që t’i mundësohet asaj kryerja e punëve që i takojnë edhe si kategori kushtetuese në vend. Meqë këto xhami nuk paskan qenë nën kontroll të BFI-së, denoncimi është dashur të vijë që nga momenti kur ka ndodhur ngjarja e jo tash kur tendenca është ikje nga përgjegjësia. Nga ana tjetër, MPB-ja nuk duhet të intervenojë në xhamia sepse ato u takojnë të gjithë besimtarëve dhe janë objekte adhurimi, ndërsa nëse ka indikacione për radikalizëm apo terrorizëm ato duhet të marrin masa adekuate ndaj individëve apo grupeve për të cilat dyshohet se kryejnë vepra penale të cilat janë të dënueshme në vend. Madje, kur bëhet fjalë për rrezik sigurie në vend, ata s’është dashur të presin denoncim nga BFI-ja por të reagojnë sipas detyrës zyrtare. Gjithë kjo “hedhje e topit” nga BFI në MPB e anasjelltas, më shumë flet për mosefikasitetin e tyre në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara, por sidomos edhe për ndërhyrjen e thellë të organeve të sigurisë së shtetit në organizimin e jetës fetare. Mbase, kjo më së miri dëshmohet me rastin në fjalë, sepse nëse ata njerëz rrezikuakan sigurinë e vendin pse janë toleruar deri më tani të veprojmë? Apo mos ndoshta dikujt i duhen individë e grupe të tilla të cilat ju shërbejnë për ta njollosë islamin dhe besimtarët e vërtetë?” – përfundoi analisti Gashi për Portalb.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button