Site icon PORTALB

MENDOKRACI

Parim Marku

Parim Marku

Mendokracia është fjalë e re e leksikonit politik, për të cilën akoma nuk mund të gjendet një definicion i vetëm në fjalorët apo leksikonet politike. Por kjo nuk paraqet asnjë problem që unë ta përdor në shkrimin tim, sepse çdo gjuhë e botës është organizëm i gjallë, dhe si e tillë mund të plotësohet kurdo që të jetë e nevojshme. Një gjuhë si gjuha shqipe është e etshme për fjalë të reja, sidomos për fjalë të tilla që spjegojnë realitetin në të cilin jetojmë. Ka një të vërtetë që më pëlqen ta them: gjuha nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të fjalëzuar atë që mendja e mendon.

Tani, çka është mendokracia dhe pse ajo është realiteti jonë? Zakonisht terminet e këtilla formohen si togfjalësh i dy fjalëve, ku fjala e parë jep kuptimin ndërsa fjala e dytë – pra fjala “kraci” e përkthyer nga greqishtja e vjetër në shqipen tonë të bukur don të thotë “një formë e caktuar e qeverisjes apo sundimit”. Togfjalësh të tillë janë përshembull fjala ARISTOKRACI, sundimi i klasës më të lartë të shoqërisë, klasa fisnike me gjak të kaltër. Në Maqedoni, aristokracia e vërtetë, megjithëse e paktë është shumë larg realizimit të çfarëdolloj qeverisjeje apo sundimi. Te ne sundojnë gjak jeshilët. Ose AUTOKRACI ku fuqia dhe pushteti mbahet në mënyrë absolute nga vetëm një njeri, një lideri absolut. Eh, tani kjo fjalë tingëllon si diçka që popullit tonë mund t’i kujtojë liderët e vet! Ose MERITOKRACI që ndoshta është forma ideale e demokracisë, ku liderët zgjidhen në bazë të aftësive dhe meritave specifike të tyre të shkëlqyera. Por afër me realitetin tonë shoqëror është TEOKRACIA, sepse tek ne vërtet feja është e ndarë nga politika me kushtetute, por realiteti tregon se ne për kushtetutën nuk mërzitemi shumë. Fesë dhe atyre që e predikojnë atë ju rezervojmë respektin më të madh dhe dëgjueshmërinë më servile, sado budallenj mund të jenë predikuesit.

Në vazhdë të kësaj, MENDOKRACI-në nuk është se e shpika unë. Është fjalë e cila është krijuar si rezultat i realitetit politiko-shoqëror në të cilin gjendet bota. Më konkretisht e ka përdorur për herë të parë historiani dhe gazetari amerikan, Rick Perlstein kur flet për Niksonin, Watergate-in dhe pasojat e gënjeshtrave të partisë republikane ndaj politikës dhe jetës amerikane pas viteve ‘70. Baza e fjalës është fjala MENDACUM – që vjen nga latinishtja, GËNJESHTËR. Pra nënkupton, sundimin apo qeverisjen e gënjeshtarëve. Cili prej jush mund të më përgënjeshtrojë pohimin që ne zgjedhim për liderë ata që dijnë të na gënjejnë më së miri. Përshembull, në Luboten ka 20 vjet që premtohet ndërtimi i një ujësjellësi që do të furnizojë me ujë këtë fshat që ka vuajtur shumë, para, gjatë apo pas 2001-shit; Kuptohet që mendokratët nuk e kanë ndërtuar ujësjellësin, edhepse kushton më pak se statuja e Car Dushanit, e që nuk i jep ujë askujt; rrjedhimisht 20 vjet ato banorë të asaj ane gënjehen nga njerëzit e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike. Luboten-gate është vetëm një shembull I “-gate”-ve gënjeshtare politike që vijnë njëra pas tjetrës në shqisat tona si strofat e këngës së pambaruar të arapit.

Duhen të përmbushen dy premisa që një gënjeshtër politike të ketë sukses: një lider apo institucion i fuqishëm që ta shqiptojë, dhe një institucion tjetër që ta amplifikojë. Pra politikanët ta shqiptojnë dhe mediat ta amplifikojnë zërin e tyre. Këto bashkë krijojnë realitete të reja, të vërteta të reja nga të pavërtetat. Me mediat totalisht të politizuara dhe nën kontrollin absolut të cenzurës së diktaturës dypartiake, me këto diktatorë që gjithmonë janë të gatshëm për të lakuar të vërtetën sipas nevojës, shtrembërohet aq shumë realiteti saqë krijohet ndjenja e të qenurit pacipshëm i mashtruar. Këtij qëllimi i shërbejnë shumica e mediave në vend. Web portalet si ky ku shkruaj vetë, që mbetën të paprekura nga ndryshimet në ligjin e mediave me të cilat u shkatërrua e drejta e lirisë së shprehjes dhe cenzura u kushtetëzua, akoma të japin ndjenjën e të konsideruarit kritik të secilit informacion. Ju japin mundësinë të pangjyrosurve të shprehen dhe të informohen.

Mendokracia, mund të definohet pra edhe si diktatura e binomit shtet – media të korruptuara. Në një panoramë të tillë, të veprosh dhe të zgjedhësh drejt bëhet shumë e vështirë. Njeriu veprimet e veta i kryen në bazë të infomacionit me të cilin disponon. Nëse ky informacion është i rrejshëm, edhe veprimet do të jenë të rrejshme. Edhe zgjedhjet do të jenë të gabuara. Rrjedhimisht, nuk mund të fajësosh një popull që përsërit gabimet e veta, duke lejuar të gënjehet nga politikanë të shfryrë.

Të lodh mendimi për mendokracinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version