Investim italian në zonën e lirë në Tetovë, paralajmërohet vende të reja të punës

Rreth 120 vende të reja pune do të sigurojë investimi i ri prej 3.8 milion euro i kompanisë italiane ITEK, e cila sot në Zonën teknologjike zhvillimore industriale në Tetovë filloi ndërtimin e një fabrike të re.

Fabrika do të ketë sipërfaqe prej rreth 4.000 metra katrorë dhe është investimi i parë në zonën e lirë të Tetovës. Investimi do të realizohet përmes kompanisë Pro Comp Advance Technologies dhe është planifikuar hapja e pesë linjave të prodhimit të profileve të përbërë, për prodhimin e fibrave prej qelqi dhe karboni.
Kryeministri Nikolla Gruevski, në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit, tha se ky investim është i rëndësishëm dhe do të sigurojë shumë vende të reja pune.

‘Falë investimeve të reja, eksportet nga zonat në vend në gjashtë muajt e parë të këtij viti arritën në mbi 550 milion euro, që do të thotë se ajo është dyfishuar në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Deri në fund të vitit 2014 presim që eksportet nga zonat e lira të arrijnë një vlerë prej mbi një miliard euro, dhe presim që këto tendenca të rriten edhe më tej në të ardhmen’, tha Gruevski.

Kryeministri paralajmëroi promovimin e vazhdueshëm aktiv të vendit, siç tha sepse falë promovimit shumë kompani të huaja kanë njoftuar tashmë investime të reja dhe së shpejti do të fillojnë të ndërtojnë fabrika të reja, siç janë kompania italiane ‘Diatek’ , kompania amerikane ‘Key Saffety Sistems’, ajo turke ‘Veibo’, kompania gjermane ‘Tehnikap tekstil’, ajo britanike ‘Euro BPO’, kompania gjermane ODB ELEKTRIK, ajo ukrainase ‘Energia’, kompania italiane ‘Montante grup’ dhe shumë të tjera.

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri tha se hedhja e gurthemelit të kompanisë PRO COMP përbën jetësim të angazhimit për zhvillim të barabartë ekonomik, këtë herë në rajonin e Pollogut, duke shtuar se ky është projekti më i madh, i punuar sipas modelit të partneritetit publiko-privat,dhe zbatimi i tij do të thotë hapje të vendeve të reja të punës, të bazuara në investime, hyrje të teknologjive të reja dhe inovacioneve, eksport më të madh, dhe qarkullim më të madh devizor.
Bekim Neziri, hedhja e gurthemelit te kompanise Itek

‘Kjo kompani është lider në industrinë për ndërtimin e instalimeve për prodhimin e materialit të ekstruduar, profileve dhe produkteve të gatshme të përdorura në ndërtim, bujqësi, industrinë automobilistike, në komunikacionin hekurudhor etj. Për më tepër, për shkak se qëllimi është që të plotësohet kërkesa në rritje në tregun e këtyre produkteve, tashmë të etabluara në tregjet në Evropë, Afrikën e Veriut, Libi, Algjeri dhe Egjipt, Kinë, Hong Kong, e që paraqet zgjerimin e eksporteve jashtë tregjeve tona tradicionale’ tha Ministri Neziri në fjalimin e tij.
Në eveniment të pranishëm ishin kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, zëvendës kryeministra dhe ministra, kryetarja e komunës së Tetovës dhe investitorët italianë.

Lajme të ngjashme

Back to top button