Sherr tek Palermo mes drejtuesve dhe Sorrentinos dhe në fund del fitues Samir Ujkani. Pas periudhës së vështirë duket se po vjen dhe momenti i Samir Ujkanit. Presidenti i Palermos, Zamparini, manifestoi synimin e tij për ta promovuar si titullar portierin kosovar, në një kohë kur në kampin sicilian mbetet i pazgjidhur rebusi Sorrentino, nëse do të qëndrojë apo do të largohet.
Është një situatë që krijon konfuzion për një rol specifik si ai i portierit, megjithëse trajneri i skuadrës Iachini deklaroi: “Nuk ka një problem për portën te Palermo. Sorrentino dhe Ujkani janë dy djem që gëzojnë respektin e njëri tjetrit. Zamparini ka thënë se Ujkani është portieri titullar? Ky është një vendim i shoqërisë që nuk i përket stafit teknik. Është një diskutim për vlerësimin e perspektivës së lojtarëve. Sot për sot nisen të dy në barazim. Unë synoj t’i mbaj të dy për të mirën e skuadrës, por siç e dimë merkatoja mund të ndryshojë nga njëra ditë në tjetrën”.
E ndërsa priten lajme nga merkato për të ardhmen e Sorrentinos, e rëndësishme për Ujkanin që u largua nga kombëtarja shqiptare ku ishte parakaluar në hierarkinë e portës nga Etrit Berisha, është se tashmë ka rifituar besimin e klubit, si dhe shanset për të demonstruar vlerat e tij mes shtyllave në sezonin e ri të Serisë A. “Ndërkaq flitet për një rikthim të lojtarit në ekipin përfaqësues kuqezi, ndonëse ende nuk ka asgjë zyrtare. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Fakt është se Ujkani e meriton të jetë titullar tek Palermo”, shkruan ‘Sport Ekspres’ në Shqipëri./ Tribuna