Vonesa e implementimit të MO – vonesë e integrimit

Është krijuar një bindje se Maqedonisë i mungon progresi nga vonesa e integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian. Më duket se u bë një kohë e mirë që ne ua hedhim evropianëve, dhe ata nuk e marrin vesh fare. Gradualisht u krijua një bindje se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë tërësi e plotë pa integrimin e shteteve të Ballkanit për më tepër pas integrimit masovik të vendeve ish komuniste të Evropës Lindore, dhe nga kjo pozitë sikur u krijua një rehati e rrejshme se integrimi vetvetiu do të vijojë, një farë iluzioni i çuditshëm ky.

Në fakt rekomandimet lidhur me procesin e integrimit, përcillen me vizitën e ndonjë përfaqësuesi nga Bashkimi Evropian, që pritet në mënyrë miqësore nëpër institucione duke i prezantuar atij me gjasë progresin në rrugën e integrimit evropian, implementimin e MO, që nganjëherë merr edhe konfirmim nga nuanca vasale. Fill pas takimit vjen moment i fotografimit. Krejt kjo si një rutinë e zakonshme, që të krijon përshtypjen se çdo gjë shkon në regull, dhe ndoshta krijon përshtypjen se evropianët qënkan pak naivë.

Sikur anashkalohet Aneksi C i Marrëveshjes së Ohrit që ka të bëjë pikërisht me zotimin para ndërkombëtarëve lidhur me implementimin dhe krijimin e mirëbesimit ku palët i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të lehtësojë, që të mbikqyrë dhe të ndihmojë implementimin e dispozitave të marrëveshjes kornizë dhe të anekseve të saj dhe kërkojnë që përpjekjet e tilla të koordinohen nga BE-ja, krejt kjo e shënuar e zezë mbi të bardhë dhe e nënshkruar nga të dy palët.

Krejt ndryshe nga ç’pritej, Presidentit i ri i Komisionit Evropian, Juncker, shprehu qartë se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjerim të Bashkimit Evropian me asnjë shtet anëtar të ri, duke aluduar sidomos për vendet e Ballkanit ku bën pjesë edhe Maqedonia, me arsyetimin se BE ka nevojë për një ndalesë në procesin e integrimit sepse nevojitet konsolidim i brendshëm i BE –së, dhe një moment për frymëmarrje të lirë.

Është e vërtetë se arsyeja e bllokimit mund të jetë profili i ndryshëm politik  dhe qasja  ndaj procesit zgjerues të BE e Presidentit të ri të Komisionit Evropian – Juncker , i kritikuar sidomos nga liberalët lidhur me pikpamjet e tij për zgjerimin, në krahasim me paraardhësin e tij Barroso pak më neutral në këtë drejtim.

Edhe arsyeja se bllokimi bazohet në momentin juridik dhe faktin se anëtarësimet janë të planifikuara nga politika e zgjerimit të BE që është  në përputhje me Traktatet respektive që parashohin ose jo zgjerime të reja, dhe natyrisht se kjo është një premisë për vlerësim, bile është shumë logjike – aq më tepër në një moment kur duket se Evropa ka “frikë” për veten dhe evoluimin e brendshëm të saj. Këndvështrimi i tretë dhe ndoshta më i rëndësishmi është gatishmëria dhe progresi i shteteve që kërkojnë anëtarësimin në këto struktura, aq më tepër sinqeriteti politik i disave që ndoshta është kritik për Maqedoninë, sidomos në raport me implementimin e marrëveshjes së Ohrit kaq shumë të rekomanduar nga faktori ndërkombëtar, dhe së fundmi heqja e komisionerit për zgjerim ndoshta është një vërejtje serioze në këtë drejtim.

Shteti i fundit që ju bashkua BE –së, ishte Kroacia, pozitë kjo që e bën faktor të rëndësishëm në rajon për tu ndërlidhur pastaj këtu dhe për të marrë spunto me një moment tjetër të rëndësishëm  Samitin e Dubrovnikut që u mbajt para një kohe, takimin vjetor të liderëve të rajonit ku u debatua për krijimin e infrastrukturës rajonale dhe për politikat e zgjerimit.

Një detal interesant i këtij Samiti ishte momenti i fotografimit të liderëve përkrah kancelares gjermane Merkel, ku pati një tendencë të fotografimit sipas dëshirës të njërit nga presidentët e pranishëm me kancelaren Merkel por që hasi në reagimin e ruajtësve të protokollit të cilët bënë me dije se nuk mund të dilet nga protokolli në të tilla evenimente, siç mund të kishte ndodhur në rrethana tjera ndoshta gjatë pritjeve eventuale private, ose fotografimit për konsum të brendshëm. Ky moment padyshim se përveç vënies të pozitë të palakmueshme të presidentit në fjalë, tregoi se jo çdokund vlen e njejta praktikë fotografimi sipas dëshirës, por ekziston një rend i cili duhet respektuar, varësisht nga pozita të cilën vetë e ke krijuar.

Kjo situatë të krijon një satisfaksion sepse bën të kuptohet se evropianët nuk qënkan dhe aq naiv, dhe sinjalet që japin ato ndoshta duhen kuptuar në kohën e duhur, edhe pse këto sinjale shpesh dërgohen me delikatesë, dhe në mënyrë jo shumë imponuese. Nga ky këndvështrim është logjike se pas disa rasteve të lëshuara të Maqedonisë duke injoruar rekomandimet e tyre, duhet të jenë të pritshme edhe bllokimet që mund të përcaktojë BE, qoftë edhe për periudhë pesë vjeçare siç edhe u paralajmërua.

Ndryshe nga delikatesa evropiane, dhe mënyra e reagimit të tyre, duket se hiletë nuk kalojnë lehtë as kur është në pyetje Uncle Sam, dhe me këtë rast edhe kritikat e drejtëpërdrejta. Vizita para një kohe e ndihmës sekretares amerikane të shtetit Nuland në Maqedoni është një tregues për këtë. Në një farë mënyre Nuland drejtoi gishtin nga fajtori, duke piketuar disa elemente më të rëndësishme edhe pasi  dëgjoi planet dhe reformat që pretendohej se kanë pasur progres. Premtimi për të investuar në rajonet shqiptare siç i ka quajtur ajo, ndoshta tregon për diskriminimin ekonomik që ju bëhet shqiptarëve këtu, duke mos lënë anash as integrimin e barabartë të shoqërisë dhe kohezionin ndëretnik duke u bazuar në elementin juridik Marrëveshjen e Ohrit kaq shumë të konsumuar si temë.

Nga ky prizëm, ndoshta vetëm me një vizion të integruar mund të ketë progres në aspektin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë, në të kundërt aspiratat euro atlantike duket se shumëzohen me zero në çdo moment kur këto pika do të anashkalohen.

Në këtë konotacion, duket se Maqedonisë pengimi i progresit nuk i vjen  nga vonesa e integrimit, por përkundrazi mos balancimi i brendshëm që buron nga mosimplementimi i MO i sjell vonesat e integrimit në strukturat euro – atlantike, dhe faktori ndërkombëtar padyshim që e di këtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button