Shqiptarët të zhgënjyer me MO, korrupsioni dhe nepotizmi ecin bashkë në dekadën e saj

Qytetarët japin një perceptim më ndryshe nga statistikat zyrtare që kufizohen vetëm në evidencën e punësimeve, që thuajse ka mbetur pika e vetme rreth së cilës ndërthuren meritat apo dështimet e Marrëveshje së Ohrit.

Atë që ndjenë qytetarët sot pas 13 viteve nga Marrëveshja e Ohrit, dallon shumë nga ajo që kanë përfituar funksionarët politik në emër të kësaj marrëveshje.

Sipas një ankete të zgjeruar që Portalb ka bërë me qytetarët, Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje e cila është venitur deri në shuarje, pa e kuptuar se çfarë në të vërtet përfaqësonte ajo për shqiptarët.

Xhenis Sulimani, politikolog, nga Kumanova thotë se Marrëveshja e Ohrit paraqet një “marrëveshje për të mos u marr vesh” kurrë me maqedonasit. Një marrëveshje që në vete mbanë vetëm një të mirë që i ka dhënë fund konfliktit 2001, por që aspak nuk i kënaq apetitet e shqiptarëve të Maqedonisë.
“Interpretimi i dyfishtë i marrëveshjes është dobësia më e madhe e këtij pakti. Nga njëra anë maqedonasit e interpretojnë si një dokument zyrtarë të cilin ua ka imponuar faktori ndërkombëtarë, çka donë të thotë se në praktikë ata pak e hiç e njohin. Nga ana tjetër, shqiptarët apo më mirë thënë një grup i caktuar mburren me këtë “dokument- letër” dhe fitojnë vota në emër të saj, edhe pse nuk është i aplikueshëm në tërësi, apo më mirë thënë kësaj marrëveshje afati i ka skaduar qysh moti. Kështu që parashtrohet pyetja sa shpresë mund të ketë implementimi i saj sot apo nesër?! Aspak”, thotë Xhenis Sulimani.

Lulëzim Hasani, ekonomist i diplomuar, nga Gostivari i angazhuar në sektorin privat, thotë se Marrëveshja e Ohrit mbetet një pamflet politik e cila gjithnjë e më shumë banalizohet duke e sjellë vetëm në nivelin e punësimeve në administratën shtetërore e cila edhe pas 13 viteve nuk arrin të realizojë një përfaqësim adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Për të kjo marrëveshje nuk mund të jetë zgjidhje e problemeve të shqiptarëve të Maqedonisë.

Selim Memedi, me profesion kimist nga Tetova, thotë se Marrëveshja e Ohrit ka qenë dhe mbetet një instrument që shfrytëzojnë partitë politike për të manipuluar qytetarët për qëllimet e tyre politike.

“Deri sa partitë maqedonase kryesisht VMRO-DPMNE, shijon meritat e anashkalimit të kësaj marrëveshje te qytetarët maqedonas, partia shqiptare në pushtet, BDI në vend që të marrë ndëshkimin, përkundrazi shfrytëzon Marrëveshjen e Ohrit, duke e paraqitur atë si një marrëveshje që po realizohet”, thotë Selim Memedi.

Ekonomisti nga Shkupi, Ibrahim. T, thotë Marrëveshja e Ohrit për 13 vite ka dështuar një njërin ndër segmentet e saj që është ndoshta më i rëndësishmi, por që duhet të jetë edhe më lehtë i zbatueshmi si përfaqësimi adekuat dhe e i drejtë i shqiptarëve në administratën shtetërore.

Sipas tij, nuk ka ndonjë efekt sa i për ketë të drejtave të shqiptarëve që garanton Marrëveshja e Ohrit. Në këtë drejtim thotë Ibrahimi ne trajtohemi shumë më keq se sa pakica serbe në Kosovë edhe pse në Maqedoni nuk jemi pakicë, vlerëson ai.

“Paritë politike nuk duhet të nënvleftësojnë durimin tonë . Ata duhet të punojnë më shumë për popullin jo të mendojnë vetëm për të na vjedhur”, thotë Ibrahim T.

Stomatologu nga Dibra, Dashamir Marku, thotë për Portalb, se Marrëveshja e Ohrit tani më është një dokument i skaduar edhe pse kishte mbrojtjen ndërkombëtare.

“Me një qeveri e cila prodhon Kriza nuk mund të ketë realizim të Marrëveshjes së Ohrit. Ajo është një marrëveshje e venitur si në aspektin e afatizimit të saj si dhe me ndryshimet që pësoi”, thotë Dashamir Marku.

Suat. S nga Shkupi, thotë se për Marrëveshjen e Ohrit shumë pak është bërë. Gjuha shqipe sipas tij ka një përdorim të cunguar.

“Mjafton të futesh në spital dhe kur të vërejnë se flasësh shqip të shohin me sy tjetër. Këtu e sheh se sa është bërë për gjuhën shqipe e cila është njëra ndër segmentet e MO e cila duheshe të ishte realizuar shumë vite më përpara, thotë Suadi.

Fisnik Muça, student i doktoraturës në UEJL,nga Dibra, thotë se pas 13 viteve të Marrëveshjes së Ohrit, ngecim në po të njëjtat probleme.

“Sa u takon parimeve themelore të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe pikave të tjera, shihet se pikërisht këto janë edhe çështjet më problematike edhe sot pas 13 vitesh. Edhe pse të themi kështu në mënyrë popullore jemi marr vesh për ti zgjidhur këto probleme nëpërmjet një marrëveshje post-konfliktuale, përsëri ngecim në po të njëjtat. Edhe sot kemi probleme politike dhe të sigurisë të pazgjidhura, sikurse që kemi edhe çështjen e decentralizimit të pushtetit, përfaqësimin e drejtë, çështjen e gjuhës që akoma mbeten të zvarritura, çështje të cilat garantohen me kushtetutë dhe ligj. Andaj duke marr parasysh gjithë këtë, është herët për të folur për skadencë të Marrëveshjes së Ohrit, pasi që akoma nuk është “konsumuar” e tëra!” – Fisnik Muça, student i doktoratës ne UEJL.

Lajme të ngjashme

Back to top button