Site icon PORTALB

Dialogu politik në Maqedoni nuk ka nishane se do zgjidhet

Dialogu politik mes pushtetit dhe opozitës, jo që nuk do të fillojë, por dy kampet politike, betejën kryesore e kanë përqendruar në fajësimin e njëra tjetrës për krizën e rëndë politike në të cilën ndodhet vendi, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

“Në vend se të ulen dhe me vullnet të mirë të nisin me zgjidhjen e problemeve, subjektet politike, bëjnë të kundërtën. Ato shfajësojnë vetveten duke ia hedhur fajin palës tjetër dhe nga kjo pastaj tentojnë të përfitojnë pikë politike nga qytetarët. Pra, problemi kryesor është se partitë politike nuk punojnë për zgjidhjen e problemeve, por të shfajësojnë veten e tyre“, thotëAlbert Musliu, nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.

Ndërkohë, Zdravko Savevski, njohës i çështjeve politike, thotë se kriza politike si pasojë e mungesës së dialogut politik, po rrënon parimet kryesore demokratike edhe ashtu të brishta në Maqedoni.

“Ne kohëve të fundit po shohim se Maqedonia po hyn në një krizë të re politike si pasojë e mungesës së dialogut politik që është një nga kushtet themelore për zhvillimin e demokracisë në vend. Mund të ketë bisedime interne larg syve të opinionit, por nga ajo që kemi parë deri më tani zgjidhje vështirë se do të ketë duke marr parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta mes dy partive kryesore“, thotë Savevski.

Edhe ai ngjashëm si Musliu, vlerëson se partitë gjithë betejën politike edhe më tej do ta vazhdojnë për atë se kush është fajtor për gjendjen e krijuar duke tentuar ti ikin përgjegjësisë për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Ndërkohë, analisti Albert Musliu, thotë se kriza politike do të reflektohet edhe në raportin e progresit në vjeshtë të Komisionit Evropian.

Ai thotë se edhe ndërkombëtarët janë të lodhur nga politikanët në Maqedoni edhe pse beson se presioni ndaj tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Besoj se janë të lodhur pasi çdo vit si kalon fjalori i partnerëve tanë është më i ashpër edhe më i drejtpërdrejt dhe besoj se ai do të vazhdoj edhe sivjet. Tani ne nuk mundemi që fajin për mos rregullimin e çështjeve tona t’ia hedhin ndërkombëtarëve”.

“Por besoj se ata janë të informuar mirë dhe e gjithë kjo do të reflektohet edhe në raportin e vjeshtës të KE-së dhe ekziston rreziku real që Maqedonia të humb rekomandimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, pra kësaj radhe rreziku është më i madh se ai i vitit të kaluar“, vlerëson Musliu.

Ai thekson rëndësinë që në kritikat ndaj partive politike për fillimin e dialogut politik duhet të përfshihen edhe faktorët tjerë në vend, qarqet akademike, intelektualët si dhe vet qytetarët pasi pikërisht ata do të ndiejnë pasojat nga një ngërç i këtillë politik.

Ndryshe, dy blloqet politike, pushteti dhe opozita edhe manifestimet e fundit me rastin e 2 gushtit, festës kombëtare maqedonase, i kanë zhvilluara ndaras.

Veprimet e opozitës, sipas partisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski, janë shumë të dëmshme për procesin integrues dhe se shkojnë në favor të Greqisë.

Opozita e udhëhequr nga Lidhja social-demokrate kërkon formimin e një qeverie teknike e cila kryesisht do të merrej me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme pasi ato të mbajtura më 27 prill nuk njihen prej saj me arsyetimin se ishin të manipuluara.

Por, kryeministri Gruevski ka thënë se për gjithçka mund të bisedohet, përveç për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Exit mobile version