Tre anëtarë të një familje kanë ndërruar jetë, pas një aksidenti tragjik teksa ktheheshin në Shqipëri për pushime. Aksidenti ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, ku Erjon Isufi i cili po udhëtonte drejt Shqipërisë së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një kamion në Slano të Kroacisë.
Policia ka njoftuar se 37-vjeçari po udhëtonte drejt Dubrovnikut së bashku me bashkëshorten Meri 34 vjeç, vajzën e tij 14 vjeç Ramela, djalin Riçard 15 vjeç, si dhe djalin 9-vjeçar Klivi.
Erjon Isufi, vajza e tij 14-vjeçare dhe djali 15-vjeçar, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa bashkëshortja dhe djali më i vogël 9 vjeç, janë plagosur dhe janë dërguar për mjekim në spital.
Bluzat e bardha raportojnë se 34-vjeçarja pas një operacioni në mushkëri ka rënë në koma, ndërsa djali 9 vjeç ka dhimbje në gjoks, por është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.